· “Dyrrah”-u zbardh hollësi të itinerarit, kështu do udhëtojnë më këmbë për 260 km studentët e Universitetit IUAV të Venecias
12 gusht 2015 – Agjencia Kombëtare e Bregdetit (AKB) njofton se më 18-31 gusht 2015, në bashkëpunim me Universitetin IUAV të Venecias (Università Iuav di Venezia – Istituto Universitario di Architettura di Venezia), do të ndërmarrë të parin udhëtim më këmbë në gjurmët e rrugës antike Via Egnatia. Ndërkohë AKB-ja “harron” të përmendë se udhëtimi më këmbë fillon nga Durrësi e Golemi dhe përfundon në qytetin shqiptar të Manastirit në Maqedoni.
Ky udhëtim i paraprin një projekti ambicioz për shndërrimin e kësaj rruge të vjetër, në një produkt të mirëfilltë turistik, thotë AKB-ja. Çdo ditë, për katër javë do të sillen imazhe dhe shënime nga ky udhëtim, duke shpresuar se shumë shpejt Via Egnatia, e cila dikur lidhte Romën me Kostandinopojën, Lindjen me Perëndimin, do të jetë një mundësi e madhe në zhvillimin e turizmit rural nëpërmjet udhëtimeve kulturore, shpirtërore, artit, filozofisë, teatrit e kulinarisë.
Info
“Dyrrah”-u mësoi nga Universiteti IUAV Venecias se duke filluar nga ky vit (2015), deri në vitin 2019, do të vazhdohet me disa etapa itinerari përgjatë rrugës Egnatia duke kaluar nëpër Ballkan dhe Lindjen e Mesme nga Durrësi deri në Stamboll. Etapa e parë është ajo Durrës-Manastir (emri ndërkombëtar sipas atij sllav: Bitola), 16-31 gusht 2015.
Nisja bëhet më 16 gusht nga stacioni i Mestre-s i Venecias. Udhëtimi me autobus privat do të përfundojë në Durrës, nga ku nis ecja më këmbë deri në Manastir, Maqedoni. Kthimi në Venecia më 31 gusht (gjithmonë me autobus). Regjistrimi është i hapur për të gjithë studentët e IUAV-it dhe ata të huaj, të apasionuar pas ecjes më këmbë.
Mbërritja në Durrës do të jetë më 17 gusht 2015 në mëngjes (shkarkimi i bagazheve të rënda dhe pajisjeve nga autobusi, e ngarkimi i tyre në furgon). Ka një ndalesë të shkurtër në Durrës, pastaj bëhet nisja drejt Golemit, nga 18 gushti ku nis udhëtimi 12-ditor më këmbë, duke përshkuar gjithsej 260 km. Furgoni do të shoqërojë grupin gjatë ecjes më këmbë dhe do të japë mbështetje logjistike (transportim personi, valixhe të rënda, pajisje). Nisja nga Manastiri do të bëhet më 30 gusht dhe po atë ditë kthimi në Durrës (për çlodhjen e shoferëve) dhe rikthim në Venecia. Mbërritja në Venecia më 31 gusht 2015.
Ilustrimi: AKB, IUAV.
/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





