23 shtator 2015 –  DurresLajm” po fillon botimin për disa ditë të një fotoreportazhi të gjatë (pjesë e vëllimit IV të “Antologjisë së Detarisë Shqiptare”, që është në proces) me titull “Me anijen “Lissus” drejt portit “Wilson”” me autor Shefqet Kërcellin, ish-ushtarak, studiues, historian, gazetar, operator, bashkëpunëtor i portalit “DurresLajm”. Në hyrje të shkrimit është një fakt interesant, që “DurresLajm”-i e shkëputi më vete.

Lundrim drejt portit “Woodrow Wilson”. Pse?  Pak shqiptarë e dinë se dikur në vitet 30’, porti i Shëngjinit mbante emrin e Presidentit Woodrow Wilson.

Këtë e saktëson një kronikë e gazetës “Dielli”e shtatorit 1930. Siç shkruan editori i kësaj gazete, Dalip Greca, kjo ka ndodhur në kohën e Mbretërisë shqiptare. Është e natyrshme që emri i presidentit amerikan Wilson ishte bërë shumë i dashur për kombin shqiptar. Shqiptarët e kanë cilësuar presidentin amerikan Woodrow Wilson si shpëtuesin e pavarësisë së Shqipërisë në Konferencën e Paqes në Paris. Merita për këtë i takon Federatës Panshqiptare të Amerikës “Vatra”. Vendimtar për ndërhyrjen e “Vatrës” ishte Komiteti i Miqve të Shqipërisë, në mënyrë të veçantë kontributi i drejtpërdrejtë i Fan S. Nolit. Imzot Noli e takoi presidentin amerikan gjatë kremtimeve të festës së 4 korrikut 1918. Me kredencialet e “Vatrës”, Noli ishte pjesë e pelegrinazhit historik që presidenti Wilson organizoi me 4 korrik 1918 në Mount Vernon, vendvarrimi i Presidentit të parë të Amerikës, George Washington. Në pelegrinazh merrnin pjesë përfaqësues të kombeve të ndryshme në SHBA. Këtu “Vatra” dërgoi Nolin, kryetarin e saj, për të përfaqësuar Shqipërinë. Duket se Noli ia doli që t’i përcillte presidentit Wilson mesazhin lutës për shpëtimin e Shqipërisë. Raporti i tij menjëherë pas takimit iu dha shpresë vatranëve dhe të gjithë shqiptarëve. Noli kumtoi menjëherë pas takimit, “Udhëtimi im këtu triumfoi. Fola dy herë me Presidentin Wilson, i cili më dha shpresa të mëdha për pavarësinë e Shqipërisë”.

Dua të sqaroj për lexuesit, se shqiptaro-amerikanët, për këtë event të rëndësishëm, nëpërmjet “Vatrës”, dhuruan plot 150 mijë dollarë, që me kursin e sotëm bëjnë plot 2 milionë e 700 mijë dollarë. E pra, deri këtu arrinte atdhedashuria e këtyre njerëzve! Në respekt të kësaj, mbreti Zog dhe parlamenti i kohës, në shtator 1930, e emërtoi portin e Shëngjinit me emrin kuptimplotë porti “Woodrow Wilson”. Nuk di me cilin dekret qeveria komuniste e hoqi këtë emër, ndërkohë që historiografia e saj nuk e mohonte kontributin e Presidentit Wilson në Konferencën e Paqes në Paris në vitin 1920 dhe 14 pikat e famshme të tij për popujt e robëruar. Një çështje thelbësore që duhet rishikuar sot nën dritën e së vërtetës për të vendosur pikat mbi “i”. Për analogji, theksojmë se ky është një korridor i rëndësishëm që mbas 70 vjetësh ndikoi në pavarësinë e Kosovës. Por dhe për ata analistë, menaxherë, pushtetarë, politikuej, patriotë e stërpatriotë që gjatë këtyre viteve e kanë emërtuar këtë port me gjithfarë emrash e interesash, duke anashkaluar këtë fakt të rëndësishëm…

Ndaj mos shtriqemi thjesht në rërën e plazheve të kësaj zone e të rrekemi të gjejmë emra të tjerë, kur atë e kanë vendosur shqiptaro-amerikanët e viteve 30’, ajka e kombit shqiptar, një brez i papërsëritshëm i shqiptarëve.

(Vijon)

/red. th. m. DurresLajm/