· EKSKLUZIVE / “DurresLajm” zbardh dokumente të panjohura ruse mbi të ashtuquajturin “problem shqiptar” gjatë Luftës II Botërore
· Pozicioni sovjetik: nga përfytyrimet mbi pandryshueshmërinë e kufijve (fundviti 1941) deri në mundësinë hipotetike të likuidimit apo edhe copëtimit të Shqipërisë (gjysma e dytë e vitit 1943), dhe më në fund – gjithmonë e më tepër u përcaktua një qëndrim tolerant për mundësinë e ndryshimit të kufirit shqiptaro-grek në favor të Tiranës (gjysma e parë e vitit 1945)
· Fakt i panjohur: diplomati, historiani, gazetari i BBC-së, përkthyesi Tajar Zavalani dërgoi në ambasadën sovjetike në Londër një letër (më 24 janar 1944) dhe një paketë dokumentesh, që ndodhen në arkivat ruse. Mes tyre dhe memorandumi “Shqipëria nën pushtimin nazist”. Sipas Zavalanit, Karta e Atlantikut dhe deklaratat e aleatëve për restaurimin e pavarësisë së Shqipërisë do ta ndihmojnë t’i kthehen Kosova dhe Çamëria (Epiri i jugut), të cilat “duke qenë njëqind për qind shqiptare, do t’i përkasin Shqipërisë së çliruar”
30 shtator 2015 – Gjatë gjithë periudhës së Luftës II Botërore liderët e koalicionit antifashist nuk përcaktuan përfundimisht qëndrimin e tyre ndaj atij që u quajt “problemi shqiptar”. Nëse Londra, që e perceptonte të gjithë Ballkanin si zonë të interesave të saj me mbështetje në Greqi si plasdarm kryesor, duke lejuar ndryshim të kufirit shqiptaro-grek në favor të Athinës, atëherë Uashingtoni e kundërshtonte këtë gjë. Pozicioni i Bashkimit Sovjetik dallohej për paqëndrueshmëri dhe ndryshonte nën ndikimin e situatës në rajon dhe të zhvillimit të pikëpamjeve të veta gjeopolitike. Ky pozicion u transformua nga përfytyrimet mbi pandryshueshmërinë e kufijve (fundviti 1941), deri në mundësinë hipotetike madje të likuidimit apo edhe copëtimit të Shqipërisë (gjysma e dytë e vitit 1943), dhe më në fund – gjithmonë e më tepër u përcaktua një qëndrim tolerant për mundësinë e ndryshimit të kufirit shqiptaro-grek në favor të Tiranës (gjysma e parë e vitit 1945). Pikërisht në këtë segment kohe u krijuan parakushtet për një betejë të ashpër diplomatike midis ish-aleatëve, që shpërtheu në vitet 1945-1948 rreth çështjes së “Epirit të Veriut” me pretendime të ndërsjella shqiptare-greke territoriale, por që përfundoi me njohjen e pandryshueshmërisë së vijës kufitare të paraluftës.
Në arkivat shtetërore ruse janë zbuluar dokumente interesante për Shqipërinë gjatë Luftës II Botërore , një pjesë e të cilave janë botuar vitet e fundit në korpuse të gjera, ndërsa të tjerat gjenden ende nëpër dosje. Por ky është shikim nga Moska. Ndërkohë historianëve të kohës së re u mbetet të gërmojnë ende edhe në ato britanike, amerikane, greke, ish-jugosllave, gjermane, italiane me qëllim që të bëhet një kryqëzim dokumentesh për të arritur në përfundime sa më sakta.
Dhjetor 1941. Stalin: Pavarësia e garantuar nga fuqi të tjera
Më 16-20 dhjetor të vitit 1941, gjatë vizitës së Sekretarit të Jashtëm britanik Entoni Iden (Anthony Eden, 1897-1977) në Moskë Kryeministri sovjetik I. V. Stalin (1878-1953) në katër bisedat me të, u përpoq të përcaktonte sferat e influencës në Evropë, pasi përshkroi skemën e përgjithshme të riorganizimit të kufijve evropianë pas luftës. Në të ishin tezat:
“.. 4. Shqipëria mund të restaurohet si shtet i pavarur me garancinë e pavarësisë së saj nga fuqi të tjera (Albaniya mozhet byt’ vosstanovlena kak nezavisimoe gosudarstvo pri garantii ee nezavisimosti drugimi derzhavami). <…>
6. Greqia duhet të restaurohet në kufijtë e saj të vjetër” (Gretsiya dolzhna byt” vosstanovlena v svoikh starykh granitsakh).
Nga përmbajtja e këtyre tezave del qartë se nuk mund të ndodhte ndonjë transformim i kufirit shqiptaro-grek.
Prill 1942. Londra: Shqipëria, në fund të prioriteteve tona në Evropë
Nga të tri Fuqitë e Mëdha vetëm Anglia, duke e konsideruar Ballkanin si sferë të interesave të saj, u angazhua pak a shumë seriozisht me problemin shqiptar. Gjithsesi edhe në këtë rast, në prill 1942, zëvendësshefi i Forin Ofisit (Foreign Office) Brus Lokhart (Bruce Lockhart, 1887-1970) vinte në dukje: “Shqipëria është në vendin e fundit në listën e prioriteteve tona në Evropë (Albania figured low on the list of European priorities)”. Situata ndryshoi vetëm në fund të vitit 1942. Tre Big-ët përcaktuan qëndrimin e tyre ndaj Shqipërisë duke e konsideruar vend që humbi pavarësinë si rezultat i agresionit fashist, pavarësi që duhej të rikthehej pas luftës. Kjo nënkuptonte njohje zyrtare nga fuqitë e koalicionit antihitleriane të luftës çlirimtare të popullit shqiptar. Për këtë qëllim, më 17 dhjetor, u bënë deklarata nga SHBA dhe Anglia. Fraza në dokumentin britanik se çështja e kufijve të Shqipërisë duhej shqyrtuar kur të nënshkruhej paqja, u konsiderua në qarqet politike si synim për t’i dorëzuar Greqisë së ardhshme rajonin e Shqipërisë së Jugut (Epiri i Veriut). Thirrjet e përsëritura të kryeministrit të qeverisë greke në mërgim E. Cudero (Emmanouil Tsouderos, 1882-1956) drejtuar Presidentit amerikan Frenklin Ruzvelt (Franklin D. Roosevelt, 1882-1945) për të përfshirë në deklaratën amerikane një frazë të ngjashme, u hodhën poshtë. Në deklaratën sovjetike të 18 dhjetorit 1942 nuk kishte gjëra konkrete – hidheshin poshtë pretendimet italiane ndaj Shqipërisë dhe shprehej bindja se lufta e popullit shqiptar për pavarësi “do të shkrihet me luftën çlirimtare të popujve të tjerë të Ballkanit të robëruar nga pushtuesit italo-gjermanë”.
Shtator 1943. Moska në dilemë: Pavarësi apo copëtim i Shqipërisë
Në shtator të vitit 1943 filloi nga puna Komisioni për problemet e marrëveshjeve të paqes dhe rregullimin e pasluftës në Ministrinë e Punëve të Jashtme (atëherë quhej Komisariati i Popullit i Punëve të Jashtme) të Bashkimit Sovjetik. Më 9 shtator 1943, kryetari i komisionit M. M. Litvinov (1876-1951) u dërgoi kryeministrit I. V. Stalin dhe ministrit të Punëve të Jashtme V. M. Molotov (1890-1986) një shkresë, që përmbante një listë çështjesh për studim dhe përpunim. Shqipërisë i kushtohej një kapitull i tërë me tri pika:
problemi shqiptar,
kufijtë e Shqipërisë,
krijimi i pushtetit në Shqipëri.
Ndërsa pika e parë nënkuptonte “duke gjykuar zgjidhje të problemit – a të ruhej Shqipëria si shtet i pavarur apo të përfshihej tërësisht ose pjesë-pjese në kufijtë e vendeve fqinje”, pas së cilës dy pikat pasuese nuk kishin kurrfarë rëndësie. Prapa kësaj fraze evazive lexohej mundësia ose (në rast se “tërësisht”) e bashkimit të krejt Shqipërisë me Jugosllavinë e re, ose (në rast se “pjesë-pjesë”) nuk përjashtohej gjasa që t’i kalohej Greqisë rajoni i disputueshëm. Por kjo gjë nuk vijonte në kapitullin e Greqisë (Trakia Perëndimore, Selaniku, Qiproja). Kështu, ndryshimi i pozicionit sovjetik ndaj Shqipërisë ishte mbresëlënës dhe pasqyronte fillimin e sherrit brenda koalicionit antihitlerian për ndikim gjeopolitik në Ballkan, dhe veçanërisht në bregdetin e tij perëndimor.
Tetor 1943. Ambasadori grek në BS: Na jepni jugun e Shqipërisë
Në vjeshtën e vitit 1943 një aktivitet të lartë diplomatik po zhvillonte ambasadori grek në Moskë A. Politis. Më 1 tetor ai dorëzoi një notë të qeverisë së tij drejtuar V. M. Molotovit, në të cilën shprehej dëshira e Greqisë “për të dëbuar Italinë nga pjesa perëndimore e gadishullit ballkanik” dhe nënvizohej domosdoshmëria e prishjes së marrëveshjeve italo-shqiptare. Pastaj Politis-i kërkonte të takohej me Molotovin, por pas një kohe të gjatë u prit nga zëvendësministri i punëve të jashtme A. E. Kornejçuk (1905-1972, shkrimtar, akademik). Gjatë takimit, ambasadori grek i kushtoi shumë vend problemit të Shqipërisë. Ajo, sipas tij, është një “kufomë e gjallë”, “… nuk ka qenë kurrë dhe nuk mund të jetë shtet i pavarur, i cili mund të ndjekë një politikë të pavarur”. Prandaj, Shqipëria u bë “viktimë e Italisë dhe porta nëpërmjet së cilës Italia hyri në Ballkan”. Nga ana tjetër Politis-i ishte në dijeni të deklaratës së aleatëve mbi pavarësinë e Shqipërisë, por edhe një herë shprehu besimin se “ekzistenca e Shqipërisë si shtet i pavarur në Ballkan vështirë të jetë e mundur. Greqia është e interesuar në bashkimin e Epirit të Veriut me Greqinë”. A. Politis përmendi se pas zbarkimit të aleatëve në Sicili (më 10 korrik 1943) qeveria greke në mërgim u deklaroi Bashkimit Sovjetik, Anglisë dhe Amerikës, se e konsideron “padyshim akt të drejtë dorëzimin Greqisë të Dodekanezit dhe Vorioepirit, territoret e të cilëve janë të banuar nga grekët”.
Janar 1944. Tajar Zavalani: T’i kthehen Shqipërisë Kosova dhe Çamëria
Has në një befasi e këndshme kur zbulon se zëvendëskryetari i Komitetit “Shqipëria e Lirë”, diplomati, historiani, publicisti, gazetari i BBC-së, përkthyesi dhe shkrimtari Tajar Zavalani (në Britani njihet me emrin Thomas Henri Zavalani, 1903-1966) dërgoi në ambasadën sovjetike pranë qeverive aleate në Londër një letër (më 24 janar 1944) dhe një paketë dokumentesh, që ndodhen në arkivat ruse. Mes tyre ishte dhe memorandumi “Shqipëria nën pushtimin nazist”. Në këtë dokument shtjellohej mendimi se Karta e Atlantikut dhe deklaratat e aleatëve për restaurimin e pavarësisë së Shqipërisë do ta ndihmojnë t’i kthehen Kosova dhe Çamëria (Epiri i jugut), të cilat “duke qenë njëqind për qind shqiptare, do t’i përkasin Shqipërisë së çliruar”.
Janar 1944. Moska: Shqyrtim të posaçëm për çështjen e Shqipërisë
Në fazën përfundimtare të luftës liderët e koalicionit antifashist ende nuk kishin përcaktuar qëndrimin e tyre ndaj problemit shqiptar. Më 10 janar 1944, në një prememorje të zëvendësministrit të Jashtëm të sapoemëruar, fill pasi qëndroi 11 vjet në postin e ambasadorit sovjetik në Londër, I. M. Mayskiy (1884-1975) lidhur me çështjet e rregullimit të pasluftës, vihej në dukje: “çështja e Shqipërisë dhe Maqedonisë kërkon shqyrtim të posaçëm”. Greqia “mund të rikthehet në kufijtë e saj të vjetër dhe, për më tepër, të marrë Dodekanezin”. Kjo nuk bie në kundërshtim qëndrimin e Komisionit Litvinov, por perspektiva dukej më pak se konkrete dhe e përcaktuar.
Tetor 1944. Çurçilli harron Shqipërinë
Pas vendimeve të Teheranit për hapjen e frontit të dytë në veri të Francës dhe jo në Ballkan, gjë që do të shënonte automatikisht çlirimin e Evropës Juglindore nga Ushtria e Kuqe, si Londra dhe Moska filluan të bëhen të ndërgjegjshme për harresën e çuditshme (por plotësisht politike) mbi vet faktin e ekzistencës së Shqipërisë. Më 9-18 tetor 1944, gjatë vizitës së tij në Moskë, kryeministri britanik Uinston Çurçill (Winston Churchill, 1874-1965) kishte arritur të përfundonte me J. V. Stalinin ujdinë verbale të “marrëveshjes së përqindjeve” mbi “sferat e influencës” në Ballkan midis Bashkimit Sovjetik dhe Perëndimit (përkatësisht në Rumani, Greqi, Jugosllavi , Hungari dhe Bullgari) në një përqindje të caktuar, ndërsa për kryeministrin britanik kishte rëndësi çështja e Greqisë. Megjithatë, në këtë listë nuk ishte një nga vendet e Ballkanit. Më vonë, Çurçilli i ka thënë Entoni Idenit se ai thjesht “harroi Shqipërinë”, ndikimi në të cilën duhej ndarë, “natyrisht, 50 me 50 për qind”
Nëntor 1944: Kremlini harron Shqipërinë
Më 15 nëntor 1944, në elaboratin konceptual të Komisionit Litvinov “Mbi perspektivat dhe bazën e mundshme të bashkëpunimit sovjeto-britanik” prognozohej se Anglia, pasi të përfshinte në zonën e saj të ndikimit Greqinë, do të synonte të mos i jepte askujt kontrollin mbi daljen nga Ballkani në Egje dhe Adriatik. Për këtë qëllim, Londra kundërshtoi t’i jepej Bullgarisë dalje në Egje nëpërmjet Trakisë perëndimore dhe “do të përpiqet të përfshijë në sferën e vet të ndikimit Shqipërinë – drejtpërdrejt ose me anë të bashkimit të saj me Greqinë”. Në shënimin analitik të zëvendësministrit M. M. Litvinov “Rreth çështjes së blloqeve dhe sferave të ndikimit”, më 11 janar 1945, pohohej (për shkak të konfidencialitetit absolut të “marrëveshjes së përqindjes”), se problemi i ngritur “nuk është shtruar me askënd dhe asgjëkund”. Prandaj zëvendësministri i Jashtëm bëri propozimet e veta. Ato konsistonin në faktin se “sfera maksimale [sovjetike], ose, më saktë, zona e sigurisë” duhej të përfshinte dhjetë vende – nga Norvegjia deri në Turqi. Në zonën britanike ai përfshinte gjashtë vende dhe në atë neutrale – pesë. Litvinovi prognozonte se katër vende nga zona sovjetike (Norvegjia, Suedia, Turqia dhe Jugosllavia) dhe dy nga ajo neutrale (Danimarka dhe Italia) “do të jenë objekt pazarllëku dhe kompromisesh (predmetom torga i kompromisov)”. Pothuajse është e pabesueshme, por në skenarin e detajuar të shteteve evropiane dhe këtë herë, por tashmë nga pala sovjetike, harrohej Shqipëria. Shpjegimi mund të gjendet në projektet jugosllave të gëlltitjes së saj, me të cilat, gjithsesi, Moska nuk ishte entuziaste.
Mars 1945. Frazë me dy kuptime e Çurçillit
Në mars të vitit 1945, duke iu përgjigjur një pyetjeje në Dhomën e Komuneve, Çurçilli deklaroi se në bisedimet me delegacionin grek nuk u diskutua mundësia për t’i aneksuar Greqisë ndonjë pjesë të Shqipërisë së Jugut. Megjithatë, këtu, duke apeluar për konferencën e ardhshme të paqes, nyjëtoi një frazë me kuptim të dyfishtë:
“Nuk mund të kryhet në mënyrë efektive kurrfarë rregullimi të çdo pjese të Evropës duke e shkëputur nga harta gjeografike në tërësi. Ka raste, të cilat, sikurse dihet, bien nga kjo kategori”.
Pikërisht në këtë segment kohe u krijuan parakushtet për një betejë të ashpër diplomatike midis ish-aleatëve, që shpërtheu në vitet 1945-1948, rreth çështjes së “Epirit të Veriut” me pretendime të ndërsjella shqiptare-greke territoriale, por që përfundoi me njohjen e pandryshueshmërisë së vijës kufitare të paraluftës.
/th. m. portali DurresLajm/





