196 persona mes të cilëve shqiptarë, italianë e grekë janë arrestuar nga policia italiane për trafik ndërkombëtar droge. Ky është rezultati i hetimit të nisur që në maj të vitit 2012 nga Guardia di Finanza e Brescias, në Itali, por që më pas u shtri edhe në Holandë, Spanjë, Greqi, Belgjikë e Bullgari.
Në kuadër të këtij operacioni, mbrëmjen e djeshme janë arrestuar në Brescia, Napoli dhe jashtë Italisë, 15 persona të cilët ishin pjesë e organizatave kriminale që kryejnë trafik ndërkombëtar droge, të cilat furnizonin bandat italiane të drogës.
Në qendër të hetimeve në mënyrë të veçantë, ishin një grup shqiptarësh që kishin kontakte me grupet mafioze italiane ‘Ndrangheta, Camorra dhe Sacra Corona Unita’.
Gjatë operacioneve të zhvilluara, policia ka sekuestruar 5 ton drogë, kokainë, heroinë, dhe hashash; 554 mijë euro, 7 makina luksoze, 5 peshore.
Sipas policisë italiane, organizata ishte e përbërë nga disa pjesë, që kishin punën të ndarë.
Shqiptarët dhe grekët merreshin me trafikimin e drogën drejt Italisë e vendeve të tjera, ndërsa organizatat e tjera merreshin me shitjen.





