UASHINGTON, 24 shkurt 2013– Për perspektivën më afatgjatë Mehmet Shehu ka qenë njeriu i zgjedhur nga Moska, si shqiptari më i besueshëm dhe kompetent për të udhëhequr, këtë pohim të bujshëm e bën shërbimi sekret më i fuqishëm në botë. Vetëm 26 vjet pas vdekjes së ish-Kryeministrit Mehmet Shehu (1913-1981) dhe kur nuk ishte më gjallë as Enver Hoxha (1908-1985), në maj të vitit 2007, CIA nxori nga “skutat” e veta një dokument sekret dërguar Shtëpisë së Bardhë.
Shkëputja e Shqipërisë nga Traktati i Varshavës në vitin 1960 shkaktoi një jehonë të madhe ndërkombëtare, ndaj dhe stafi i Agjencisë Qendrore të Kundërzbulimit (CIA) të SHBA ndërmori një studim sekret të gjerë mbi “Marrëdhëniet sovjetike-shqiptare në periudhën 1940-1960” (SOVIET – ALBANIAN RELATIONS, 1940-1960).
Agjencia e lajmeve “Dyrrah” bën publik ekskluzivisht mendimin zyrtar të Uashingtonit për Kryeministrin shqiptar të asaj kohe (në vitin 1962 kur është dërguar në Shtëpinë e Bardhë), duke botuar dhe faksimilen e dokumentit të daktilografuar.
Është për t’u vënë në dukje shënimi në fund të mbulesës së dokumentit dhe që shpjegon arsyet e klasifikimit: “Materiali përmban informacion që ka të bëjë me mbrojtjen kombëtare të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, që nënkupton se u nënshtrohet ligjeve për spiunazhin… Transmetimi dhe zbulimi i këtij informacioni personave të paautorizuar ndalohet me ligj”.
Tërheq vëmendjen dhe fakti se pjesa për Mehmet Shehun nuk është censuruar, kur ky dokument, ndonëse i deklasifikuar, ka shumë vende të fshira me korrektor.
Dokumenti
“Për perspektivën më afatgjatë”
“Në vendimin për Hoxhën dhe mënjanimin e Xoxes, Moska mund të ketë zgjedhur njeriun e konsideruar më të dobët nga të dy, dhe më i përshtatshëm (more amenable) për të drejtuar. Por për perspektivën më afatgjatë (for the longer haul), Shehu mund të ketë qenë njeriu i zgjedhur nga Moska, si shqiptari më i besueshëm (the most reliable) dhe kompetent për të udhëhequr partinë. Kjo mund të shpjegojë gradimin e tij të papritur në pozitën e numrit dy të partisë në nëntor 1948. Ai ka qenë gjeneral jashtëzakonisht i suksesshëm në luftën partizane, dhe kishte kaluar një kohë më të gjatë (në vitet 1945-46) në BRSS se figura të tjera kryesore shqiptare. Pas kthimit të tij, u emërua shefi i shtabit të përgjithshëm të ushtrisë, por para nëntorit të vitit 1948 ai nuk kishte mbajtur në parti pozitë më të lartë se sa kandidat për anëtar të komitetit qendror”. /Marrë nga studimi i 22 qershorit 1962 prej 79 faqesh “Marrëdhëniet sovjetike-shqiptare, 1940-1960”( Soviet – Albanian Relations, 1940-1960), përgatitur nga stafi i CIA-s për Shtëpinë e Bardhë, deklasifikuar në maj 2007, faqe 9 e origjinalit/.
Pohimi i dezertorit të KGB-së
Ishte pro-sovjetik
Këtë version të CIA-s të vitit 1962 e mbështet në vitin 1991 edhe dezertori sovjetik, ish-kolonel i drejtorisë së parë të KGB-së, Oleg Gordievski. Ky i fundit dhe historiani britanik Kristofer Endrju (Christopher Andrew) shkruajnë në librin me titull “KGB-ja: Historia nga brenda e operacioneve të kundërzbulimit nga Lenini deri te Gorbaçovi” (KGB: The Inside Story of Its Foreign Operations from Lenin to Gorbachev):
“Konflikti sovjetik-jugosllav i vitit 1948 e ndihmoi Hoxhën të fitojë luftën për pushtet me Xoxen. Në atë kohë, kur këshilltarët sovjetikë u larguan nga Beogradi, oficerët e MGB-së [inicialet rusisht për “Ministria e Sigurimit të Shtetit”, më vonë KGB: “Komiteti i Sigurimit të Shtetit” – Th.M.] mësynë në Tiranë. Pas prishjes së Titos me Moskën Hoxha urdhëroi të dëboheshin menjëherë të gjithë nëpunësit jugosllavë dhe iu turr kundërshtarit të tij. Xoxe u përpoq pa sukses të shpëtonte, duke u maskuar me besnikërinë ndaj Bashkimit Sovjetik. Ai dhe mbështetësit e tij u arrestuan, kurse postin e ministrit të punëve të brendshme e zuri Mehmet Shehu me prirje pro-sovjetike, i cili me ndihmën e këshilltarëve nga MGB-ja bëri spastrimin dhe riorganizimin e ‘Sigurimit’”.
/Agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





