NGA THANAS MUSTAQI
DURRËS, 1 qershor 2015 – Anëtari i byrosë politike dhe sekretar i parë i komitetit të PPSH të rrethit të Durrësit në vitet 1966-1970, Rita Marko “detyroi” zëvendëskryeministrin kinez Li Hsien Nien (23 qershor 1909-21 qershor 1992) të mos i jepte dorën kryeministrit sovjetik Aleksej Kosigin (5 mars 1904-18 dhjetor 1980). Ngjarja e bujshme, por pak e njohur, e rrëfyer paralelisht nga ish-përkthyesi i delegacionit kinez (më vonë ambasador në Vietnam) dhe diktatori shqiptar Enver Hoxha, ka ndodhur më 9 shtator në kryeqytetin Hanoi, në ceremoninë funebre me rastin e vdekjes së udhëheqësit të Vietnamit Ho Shi Min (19 maj 1890-2 shtator 1969).
Është interesant fakti që gjithçka përshkruhet në kujtimet e përkthyesit kinez nga gjuha vietnameze Li Cjaçun (Li Jiazhong), më vonë ambasador në këtë vend, përputhet me shënimet në Ditarin e Enver Hoxhës, lidhur me një incident të ndodhur në Hanoi. Li Cjaçun shkruan: “Më 8 shtator [1969] Li Hsien Nieni me delegacionin mbërriti në Hanoi. Me të mbërritur ata, kryetari i delegacionit të Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë (RPSSH) [Rita Marko] shfaqi dëshirën për t’u takuar me të në ambasadën e RPK-së…. Gjatë takimit drejtuesi i delegacionit shqiptar deklaroi se shpresohet që në ceremoninë e varrimit z. Li Hsien Nien nuk do të përshëndetej me drejtuesin e delegacionit sovjetik Kryetarin e Këshillit të Ministrave të BRSS Aleksei Kosigin. Zëvendëskryeministri kinez ra dakord me kolegun e tij shqiptar, duke thënë se në asnjë rrethanë nuk do të përshëndeste Kosiginin… Duke pasur parasysh marrëdhëniet e tensionuara midis Kinës dhe Bashkimit Sovjetik, si edhe për shkak të politikës miqësore të Vietnamit me të dy këto vende, u ndërlikua situata lidhur me mënyrën se si të vendoseshin të gjithë gjatë ceremonisë funebre. Me qëllim që Li Hsien Nieni i dhe Aleksei Kosigin të mos qëndronin bri njëri-tjetrit, u vendos të linin pas tyre vende në të dy anët e ndryshme nga udhëheqësit vietnamezë. Pavarësisht se Kosigini e përshëndeti disa herë me kokë kolegun e tij kinez, ky i fundit nuk e vuri re këtë gjë. Pas ceremonisë të dy zbritën nga tribuna. Kosigini pa Li Hsien Nienin, shpejtoi hapin dhe tashmë i zgjati dorën për t’u përshëndetur me të, por ai u kthye dhe u largua, gjë për të cilën kryetari i delegacionit shqiptar ishte shumë i gëzuar”. Por nuk zgjati shumë triumfi i Rita Markos më 9 shtator 1969. Të nesërmen, Kryeministri kinez Çu En Lai (Zhou En Lai, 5 mars 1898-8 janar 1976) e takoi homologun sovjetik Kosigin në Pekin, gjë që tërboi së tepërmi Enver Hoxhën.
Rita Marko ishte një nga pak udhëheqësit që Enver Hoxha nuk e eliminoi. Ai e dërgoi në Durrës si sekretar të parë të komitetit të partisë së rrethit. I ashpër, por dhe me “kredi” si byroist, Marko ndikoi për shumë investime që u bënë në Durrës në industri, bujqësi, infrastrukturë, kulturë, sport. Mbahen mend sidomos zgjerimi i rrugës hyrëse nga Ura e Dajlanit, pallati i sportit, vënia në skenë e operës “Skënderbeu”, kujdesi ndaj monumenteve të kulturës, duke i mbushur mendjen Hoxhës për fonde të mëdha në zbulimin e amfiteatrit antik, etj. Ndërsa ishte sekretar i parë i Durrësit, Rita Marko kryesoi delegacionin shqiptar në funeralin e udhëheqësit vietnamez Ho Shi Min, ku u tregua i vendosur në zbatimin e udhëzimeve të shefit të regjimit të Tiranës për të futur “pyka” në marrëdhëniet midis dy superfuqive komuniste të kohës, Kinës dhe Bashkimit Sovjetik.
Dokumente
NGJARJA SIPASLI CJAÇUN (LI JIAZHONG)*
Si e shfrytëzoi Bashkimi Sovjetik vdekjen e Ho Shi Minit për të përmirësuar marrëdhëniet me Kinën
Funeralet e liderëve të njohur janë një nga platformat e veçanta për diplomacinë shumëpalëshe. Shpesh këto ngjarje të trishtuara mundësojnë arritje suksesesh jo të vogla në marrëdhëniet ndërkombëtare. Sipas analistëve, në këtë kohë të gjithë i bashkon pikëllimi, mund të flasësh drejtpërdrejt, pa ndërmjetës, për disa gjëra, prandaj është mjaft e thjeshtë të thyhen disa barriera politike. Në vitin 1969 në funeralin e Ho Shi Minit (Ho Chi Minh), unë vetë u bërë dëshmitar i ndryshimeve të tilla në marrëdhëniet kino-sovjetike.
Më 2 shtator 1969 vdiq lideri i Vietnamit Ho Shi Min. Më 4 shtator Kryetari i Këshillit të Shtetit të Republikës Popullore të Kinës (RPK) Çu En Lai (Zhou En Lai, 5 mars 1898-8 janar 1976) shkoi në Hanoi për të marrë pjesë në ceremoninë e varrimit. Komiteti Qendror i Partisë Komuniste të Kinës (KQ i PKK) dërgoi gjithashtu në funeral zëvendëskryeministrin Li Hsien Nien (Li Xiannian) me një delegacion partie. Atëherë punoja në ekipin e përkthyesve të ambasadorit të RPK-së në Vietnam z. Van Jupin (Wang Youping, në periudhën qershor 1969-gusht 1974). Më 8 shtator Li Hsien Nieni me delegacionin mbërriti në Hanoi. Me të mbërritur ata, kryetari i delegacionit të Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë (RPSSH) [Rita Marko] shfaqi dëshirën për t’u takuar me të në ambasadën e RPK-së për të diskutuar një çështje shumë të rëndësishme. Ndërkaq midis Shqipërisë dhe Bashkimit Sovjetik ekzistonin mosmarrëveshje të mprehta. Në vitin 1961 të dy vendet madje kishin ndërprerë marrëdhëniet diplomatike. Marrëdhëniet e Kinës dhe Bashkimit Sovjetik gjithashtu ndodheshin në një krizë të thellë ideologjike dhe ishin jashtëzakonisht të tensionuara. Prandaj në çështjet që kishin të bënin me Bashkimin Sovjetik, Kina dhe Shqipëria ishin aleatë. Gjatë takimit drejtuesi i delegacionit shqiptar deklaroi se shpresohet që në ceremoninë e varrimit z. Li Hsien Nien nuk do të përshëndetej me drejtuesin e delegacionit sovjetik Kryetarin e Këshillit të Ministrave të BRSS Aleksei Kosigin. Zëvendëskryeministri kinez ra dakord me kolegun e tij shqiptar, duke thënë se në asnjë rrethanë nuk do të përshëndeste Kosiginin.
Mëngjesin e 9 shtatorit në Sheshin qendror të Hanoit “Ba Din” (Ba Đình) filloi ceremonia solemne e varrimit të Ho Shi Minit. Së bashku me Van Jupinin shkuam atje pak më herët. Qëndronim në vendin e caktuar për ne pranë delegacionit tonë diplomatik. Në tribunën kryesore ishin vendosur udhëheqësit kryesorë vietnamezë. Pas tyre qëndronte kryetarët dhe zëvendëskryetarët e 32 delegacioneve diplomatike. Pasi sekretari i përgjithshëm i KQ të Partisë Komuniste të Vietnamit Le Zuan (Le Duan, 7 prill 1907-10 korrik1986) lexoi fjalimin funebër, në qiell mbi shesh u duk një helikopter. 100 milionë njerëz shpërthyen në dënesa, duke përcjellë udhëheqësin e tyre të dashur në udhën e fundit. Edhe unë nuk munda t’i mbaja lotët. Duke pasur parasysh marrëdhëniet e tensionuara midis Kinës dhe Bashkimit Sovjetik, si edhe për shkak të politikës miqësore të Vietnamit me të dy këto vende, u ndërlikua situata lidhur me mënyrën se si të vendoseshin të gjithë gjatë ceremonisë funebre. Me qëllim që Li Hsien Nieni i dhe Aleksei Kosigin të mos qëndronin bri njëri-tjetrit, u vendos të linin pas tyre vende në të dy anët e ndryshme nga udhëheqësit vietnamezë. Pavarësisht se Kosigini e përshëndeti disa herë me kokë kolegun e tij kinez, ky i fundit nuk e vuri re këtë gjë. Pas ceremonisë të dy zbritën nga tribuna. Kosigini pa Li Hsien Nienin, shpejtoi hapin dhe tashmë i zgjati dorën për t’u përshëndetur me të, por ai u kthye dhe u largua, gjë për të cilën kryetari i delegacionit shqiptar ishte shumë i gëzuar.
Pasdite shefi i departamentit të Azisë në Ministrinë e Punëve të Jashtme (MPJ) të Vietnamit i dorëzoi palës kineze një mesazh të palës sovjetike: më 11shtator në mëngjes Kosiginit i duhej të kthehej në BRSS. Ai do të donte të qëndronte disa orë në Pekin për të biseduar me Çu En Lain dhe pyeste nëse ishte e mundur kjo. Li Hsien Nieni menjëherë raportoi për këtë gjë në Pekin. Më 10 shtator në mëngjes mori përgjigjen se z. Kosigin mund të ndalonte në Pekin dhe të fliste me kryetarin e Këshillit të Shtetit. Në këtë moment Van Jupini tashmë shkoi në aeroport për të përcjellë delegacionin e Li Hsien Nienit. Në ato kohë nuk ishin shpikur ende telefonat celularë, prandaj ishte e pamundur të sigurohej lidhja me aeroportin. Një nga këshilltarët e ambasadës – Çen Lian (Chen Liang) – menjëherë shkoi atje. Por në aeroport kryeministri Fam Van Dong (Phạm Văn Đồng, 1 mars 1906-29 prill 2000), që gjithashtu kishte ardhur për të përcjellë delegacionin kinez, tha se z. Kosigin kishte një orë që u nis nga Hanoi. Fakti që ai nuk priti vendimin e Pekin e kishte inatosur së tepërmi Li Hsien Nienin. Po atë ditë pasdite, shefi i departamentit të Azisë në MPJ-në e Vietnamit u takua urgjentisht me ambasadorin Van dhe i deklaroi se kishte bërë gabim të madh, gjë për të cilën tashmë kishte marrë vërejtje nga kryeministri i Vietnamit, dhe tani fajëson veten e tij për gjithçka kishte ndodhur. Për të zbutur në njëfarë mënyre situatën, MPJ-ja e Vietnamit organizoi një takim me ambasadorin sovjetik, i dorëzoi përgjigjen e palës kineze dhe iu lut që të lidhej sa më shpejt të jetë e mundur me Kosiginin. Shefi i departamentit të Azisë theksoi veçanërisht se faji në këtë incident tërësisht dhe plotësisht mbi të, dhe i kërkoi Kinës ndjesë.
Arsyeja pse Kosigini vendosi të ikë me avion nga Hanoi më herët, ka të bëjë me faktin se ai nuk e dinte se si do t’i përgjigjej propozimit të tij pala kineze. Dhe në rast se nuk do të pranohej, do të vihej në pozitë shumë të papëlqyer. Gjithsesi, ai vendosi të presë përgjigje nga RPK-ja, për këtë arsye avioni i tij u ul në Tashkent. Hanoi dërgoi në Moskë mesazhin e Pekinit, për të cilin Kremlini njoftoi Kosiginin, dhe ai më në fund u drejtua në Pekin.
Shef i Departamentit të BRSS-së dhe Evropës në MPJ-në e RPK-së Çou Sjaopej (Zhou Xiaopei) kujton se Çu En Lai dhe z. Kosigin u takuan në sallën për miqtë e shquar në krahun perëndimor të aeroportit Ndërkombëtar “Shoudu” dhe biseduan për më shumë se tri orë. Gjatë bisedimeve palët ranë dakord për zbutjen e gjendjes së tensionuar në kufi. Ata ranë gjithashtu dakord se mosmarrëveshjet nuk duhej të pengonin normalizimin e marrëdhënieve dypalëshe. Nuk duhej bërë luftë për shkak të konflikteve kufitare, më mirë të zgjidheshin në rrugë paqësore. Gjithashtu ishte e nevojshme të krijoheshin të gjitha kushtet për ruajtjen e një situate të qëndrueshme në kufi, të mos lejohej përplasje me armë. Përveç kësaj, Kosigini dhe Çu En Lai ranë dakord të rivendosej emërimi i ndërsjellë i ambasadorëve dhe tregtia dypalëshe. Pas bisedimeve kryetari i Këshillit të Shtetit [i Kinës] i tha kryetarit të Këshillit të Ministrave të BRSS-së: “E mësuam shumë vonë që Ju dëshironi të vini. Megjithatë u përpoqëm të përgjigjeshim sa më shpejt të jetë e mundur. Edhe pse Ju desh të bëni një rrugë e të tërthortë, Ju gjithesi ia arritët asaj që dëshironit. Në kinezisht është një shprehje idiomatike, çenjuj: “Udhëtimi ia vlejti barra qiranë”. Kështu dhe në politikë është e njëjta gjë, kurrsesi pa rrugë të tërthorta”. Kosigini, nga ana e tij, iu përgjigj se nuk i vinte aspak keq për 20 orët që humbi në udhëtim.
Pas bisedimeve, u përgatit ky lajm, ku thuhej: “Më 11 shtator 1969 BRSS-ja dhe RPK-ja kanë arritur një marrëveshje. Kryetari i Këshillit të Ministrave të BRSS Aleksei Kosigin gjatë kthimit nga Hanoi në Moskë, bëri një ndalesë në Pekin dhe bisedoi me Kryetarin e Këshillit të Shtetit Çu En Lai. Bisedimet u zhvilluan në një atmosferë të qetë dhe ishin shumë të suksesshme”. Por pala kineze para se ta dërgonte lajmin për shtypin, fshiu frazën për suksesin e bisedimeve.
* Li Jiazhong, autori ka qenë ambasador i RPK-së në Vietnam në periudhën dhjetor 1995-korrik 2000. (Marrë nga gazeta “Huancju (Huanqiu) Shibao” – Kinë, 14 prill 2015).
Shënim: Përkthimi i shkrimit dhe emrat e personaliteteve që përmenden në këtë speciale, të cilët shkruhen fillimisht sipas traditës në shqip dhe në kllapa jepet transkriptimi ndërkombëtar, janë “Dyrrah”-ut
NGJARJA SIPAS “DITAR”-IT TË ENVER HOXHËS
E enjte, 4 shtator 1969.Bisedova me shokun Rita Marko, të cilin e nisim në krye të një delegacioni për në Hanoi, për të marrë pjesë në varrimin e presidentit Ho Shi Min.
E shtunë, 6 shtator 1969. Shkuam në ambasadën e RD të Vietnamit dhe ngushëlluam për xha Honë. Pritnin ngushëllime të dy ambasadorët, ai i RD të Vietnamit dhe ai i Republikës së Vietnamit të Jugut.
E premte, 12 shtator 1969.Ambasadori kinez i tha ambasadorit tonë në Pekin se “ne (kinezët) në fjalimin e festës (për 20-vjetorin e themelimit të Republikës Popullore të Kinës) në Pekin nuk do t’i zëmë në gojë revizionistët sovjetikë, por do të themi “socialimperialistët”, që ata të mos largohen nga salla”!! Bëni edhe ju si ne, donte të thoshte ambasadori. Rita na lajmëroi nga Hanoi, ku ka shkuar për të marrë pjesë në ceremoninë e varrimit të Ho Shi Minit, se Li Hsien Nieni i ka thënë: “Po të na japë dorën Kosigini, ne do t’ia japim, sepse kemi marrëdhënie diplomatike”!! Rita ia hodhi poshtë këtë mendim dhe Li Hsien Nieni u detyrua t’ia linte dorën në hava Kosiginit, i cili ia nderi. Çudira! Çudira!!
E shtunë, 13 shtator 1969.Të gjitha “çudirat” e djeshme i nxorën qartë veshët, ku fshihej lepuri. Kosigini u kthye dje nga Irkutsku dhe shkoi në Pekin. Atje e pritën Çuja me Li Hsien Nienin dhe, siç thoshte mbrëmë TASS-i [agjencia zyrtare e lajmeve e ish-BRSS], biseduan “për gjëra të dobishme për të dyja palët”. Çdo gjë ka qenë e përgatitur me kohë në mënyrë të fshehtë. Poshtërsia e tyre s’paska fund!
E hënë, 15 shtator 1969. Dyshonim se Çu En Lai mund të takohej me Kosiginin në Hanoi me rastin e varrimit të Ho Shi Minit. Çu En Lai është i zoti për pirueta të tilla politike. Ky dyshim ka qenë i bazuar, megjithëse shumë ujë ka kaluar nën urë, që nga fillimi i Revolucionit të Madh Kulturor Proletar e këtej… [një paragraf i shkurtuar nga “Dyrrah”-u] … ne dyshonim se [Çu En Lai] mos bënte ndonjë takim në Hanoi me kryerevizionistin Kosigin. Kur Çuja u largua nga Hanoi, para se të mbërrinte atje Kosigini, ne u gëzuam e thamë: “Qëndrim i vendosur, kinezët tash as me sy nuk duan ta shohin Kosiginin”, pale t'i jepnin dorën, qoftë edhe formalisht, dhe të bisedonin me të. Më vonë, për varrimin e Ho Shi Minit, shkoi në Hanoi Li Hsien Nieni, i cili kishte. dëshirë “t’i jepte dorën Kosiginit”, por e ndaloi, si të thuash, shoku Rita. Kaloi edhe kjo dhe ne menduam se u mbyll çështja ashtu siç duhej. Por dardha e ka bishtin prapa. Kinezët e sovjetikët po punonin me kohë në fshehtësi për një takim Çu En Lai-Kosigin. Pas varrimit të Ho Shi Minit, Rita u ftua nga Li Hsien Nieni dhe shkoi për vizitë në Pekin. Asgjë nuk i thanë Ritës dhe as neve këtu në Tiranë. Ditën e takimit të Çu En Lait me Kosiginin në Pekin, më 11 shtator 1969, u bë edhe takimi i Ritës me Kan Shenin (Kang Sheng; rreth vitit 1898-16 dhjetor 1975) e të tjerë. Në të ikur Kan Sheni i tha Ritës: “Mundet që Kosigini, që kthehet nga Hanoi, të ndalet në aerodromin e Pekinit, bile ka mundësi që tash, që ne jemi këtu, të bisedojë edhe Çu En Lai me Kosiginin në aerodrom”. Rita, i habitur, i thotë: “Si është e mundur një gjë e tillë? Po për se do të bisedohet?!”. Kan Sheni, me paturpësinë më të madhe, iu përgjigj: “Nuk dimë asgjë”. Meqenëse ky muhabet me qëllim u bë në fund të takimit, me kaq ata u ndanë me njëri-tjetrin. Miqve dhe shokëve të tyre “më të ngushtë” jo vetëm nuk u thanë gjë më parë lidhur me këtë takim, por edhe në orën e fundit, kur bisedimet kishin marrë fund me revizionistin, neve na u fsheh kjo dhe na u tha pas dy ditësh nga Çu En Lai në praninë e Kan Shenit. Një gjë e tillë vërtetonte qartë se për këto bisedime në rang kryeministrash ishin bërë tratativa shumë kohë më parë, bile ishin vënë edhe “kushte” nga kinezët. Ky qëndrim nga ana e kinezëve është një qëndrim i gabuar, jo i sinqertë dhe i keq ndaj nesh. Nga radiogrami i parë që na dërgoi Rita, del se Çu En Lai e njoftoi se me Kosiginin kishte biseduar këto gjëra: 1 – Të zgjidhen problemet kufitare dhe derisa të zgjidhen këto: a) Të ruhet statukuoja; b) Të ndalohen goditjet; c) Të tërhiqen trupat e të dyja palëve nga zonat e kontestuara; ç) Barinjtë e të dy vendeve të venë e të vijnë lirisht në verë si më parë për të kullotur bagëtinë. 2 – Të zgjidhen problemet hekurudhore, lumore, detare dhe ajrore. 3 – Të zgjidhen disa probleme të tregtisë. 4 – Të shkëmbehen ambasadorë. Kushtet paraprake të kinezëve për këto bisedime: 1 – Të mos ndalohet polemika ideologjike. 2 – Të mos sulmohen nga sovjetikët bazat atomike kineze, sepse atëherë do të ketë luftë deri në fund. Sipas radiogramit të Ritës, Çu En Lai shtoi: “Kosigini në përgjithësi i pranoi këto që iu thanë dhe ai do t’ia parashtrojë udhëheqjes. Këto bisedime u bënë me porosinë e Mao Ce Dunit (Mao Zedong / Mao Tse-tung, 26 dhjetor 1893-9 shtator 1976),) dhe të Lin Biaos (Lin Biao / Lin Piao, 5 dhjetor 1907-13 shtator 1971). Sovjetikët kërkojnë bisedime, sepse gjendja e tyre e brendshme është në krizë të madhe; Kosigini është “pëllumb”, ai ka dhënë tri herë dorëheqjen. Me anë të këtyre bisedimeve këta duan t’u bëjnë presion Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Do të ketë ulje tensioni për një kohë, pa ditur sa do të vazhdojë, por ne (kinezët) nuk do t'u bëjmë asnjë lëshim sovjetikëve”. Këto thotë shkurt radiogrami i parë dhe i vetëm që morëm nga Rita. Ky niset nga Shangai për këtu më 16 shtator. Rita ua tha atyre “mendimin e tij të parë personal”, se ata nuk bënë mirë që u takuan në këtë nivel të lartë, ky është gabim dhe në favor të revizionistëve sovjetikë, të cilët do të spekulojnë. Më shumë hollësi do të mësojmë kur të na raportojë vetë Rita. Por edhe nga këto që kemi mësuar, mund të gjykojmë. Derisa shokët kinezë nuk na informojnë, ne duhet të arsyetojmë mbi të dhënat që disponojmë. Amerikanët shpërndanë një lajm “sensacional”: Bashkimi Sovjetik do të sulmojë Kinën dhe veçanërisht bazat atomike kineze. Këtë lajm e frynë dhe vazhdojnë ta fryjnë shtypi borgjez dhe kancelaritë. Këtë lajm e mbështetin provokacionet e përgjakshme sovjetike në kufijtë kinezë dhe grumbullimi i disa qindra mijëra forcave (?!) sovjetike në gjithë atë kufi të gjerë kino-sovjetik… [13 paragrafë, të shkurtuar].
E premte, 19 shtator 1969.Me Hysniun [Kapo, 4 mars 1915-23 shtator 1979] dhe me Ramizin [Alia, 18 tetor 1925-7 tetor 2011] diskutuam rreth varianteve të ndryshme për t’ua komunikuar shokëve kinezë pikëpamjet e udhëheqjes sonë për bisedën e Çu En Lait me Kosiginin. Kinezëve duhet t’u thuhet hapur mendimi, por të ruhet miqësia, të influencojmë për të mirë, që të mos shkojnë më tej ose në acarim me ne.
E premte, 19 shtator 1969. Sot erdhi nga Pekini shoku Rita dhe na raportoi konkretisht. Çu En Lai, ashtu si në periudhën e parë të Revolucionit Kulturor, si në kohën e Liu Shao Çisë, edhe tash ia kishte hipur kalit revizionisto-oportunist dhe e ngiste, i entuziazmuar, me të katra përpara. Bile palla i priste nga të dyja anët. Shokët e tij, duke filluar që nga Kan Sheni, rrinin e dëgjonin dhe nuk ndërhynin asnjëherë. Kjo do të thotë se të gjithë ishin dakord me çka grinte Çu En Lai. Kur Rita i tha mendimin e tij, se takimi me Kosiginin ishte një veprim i gabuar, Çu En Lai iu përgjigj këtij me nervozizëm dhe në mënyrë joshoqërore “Ju jeni ekstremistë”. S’ka asnjë dyshim se ky përcaktim revizionist i Çu En Lait drejtohej kundër gjithë udhëheqjes sonë. Çu En Lai në ekspozenë e tij nuk mori as masën më të vogël paraprake për të fshehur pikëpamjet e tij oportuniste dhe plot kontradikta, të rreshtuara posaçërisht në këtë mënyrë për të na lënë të kuptojmë se duhet ta ulim tensionin me Bashkimin Sovjetik. Ja arsyetimet e tij: 1 – Bashkimi Sovjetik do të na sulmojë, ka grumbulluar ushtri, por tash nuk është në gjendje të veprojë. 2 – Udhëheqësit sovjetikë janë budallenj. Këtë e ka thënë edhe Niksoni. 3 – Gjeneralët dhe mareshalët sovjetikë nuk janë të zotë. Këtë e ka thënë edhe Niksoni. 4 – Udhëheqja sovjetike është e përçarë në “skifterë” dhe në “pëllumba”. Bashkimi Sovjetik është për paqen, ne duhet të ulim tensionin, të ndihmojmë “pëllumbat”, të fitojë korrenti i paqes atje, dhe në (kinezët) të fitojmë kohë dhe të armatosemi, kurse Bashkimi Sovjetik të çarmatoset (strategji gjeniale!). 5 – Bashkimi Sovjetik ka humbur autoritetin dhe kontrollin mbi satelitët e tij. (Pra Kina duhet ta ndihmojë që t’i fitojë.) 6 – Bashkimi Sovjetik në Mbledhjen e Moskës u diskreditua. (Pra Kina duhet ta ndihmojë që të rimëkëmbet.) 7 – Bashkimi Sovjetik duhet t’u bëjë presione Shteteve të Bashkuara të Amerikës. (Pra Kina duhet ta ndihmojë që t’ua bëjë.) Pasi i numëroi të gjitha këto, Çu En Lai konkludoi se ulja e tensionit është e dobishme. Bëhet pyetja: Për kë është e dobishme? Sipas Çu En Lait, për Kinën. Sipas nesh, për Bashkimin Sovjetik dhe për fraksionin revizionist në Kinë, si dhe për revizionizmin modern në botë. Edhe kalamanët e kuptojnë këtë, jo më njerëzit politikë. Për pozita të tilla kanë luftuar, luftojnë dhe do të luftojnë imperializmi dhe agjentura e tij, revizionizmi modern. Çu En Lai është përpjekur që këtë rrugë të qelbur ta fshehë me fraza, me slogane ose me ngjarje historike të së kaluarës, por kjo rrugë e tij nuk ka të bëjë aspak as me taktikën, as me strategjinë revolucionare marksiste-leniniste dhe as që mund të krahasohet me ndodhitë e së kaluarës. Dy gjëra janë të qarta: 1 – Kinezët i ka kapur frika dhe bëjnë lëshime parimore. 2 – Kinezët i ka kapur frika nga një shantazh sovjetik dhe krahu revizionist kinez, i maskuar me Revolucionin Kulturor, është në dijeni të këtij blofi, është në dijeni edhe të gjendjes së pakonsoliduar brenda. Prandaj ky krah revizionist përfiton nga situatat për të forcuar pozitat e tij në shtet dhe në parti, nën flamurin e Maos, dhe njëkohësisht ndihmon miqtë e tij revizionistë sovjetikë, që ndodhen në vështirësi të mëdha si brenda në Bashkimin Sovjetik, ashtu dhe në arenën ndërkombëtare. Në Kinë flitet shumë për masat e përgatitjes për luftë, si dhe për mprehjen e vigjilencës. Kjo është shumë e mirë. Këtë e thoshte edhe Çu En Lai. Po ç’vigjilencë i thua asaj, kur, në radhë të parë, ke humbur krejt vigjilencën politiko-ideologjike? Çu En Lai ishte aq i acaruar gjatë bisedës me shokun Rita dhe i mbronte mendimet e tij me aq zjarr (sigurisht edhe sepse ishte zemëruar me Ritën, kuptohet, me udhëheqjen tonë, që ia kundërshtoi pikëpamjet e tij), saqë, megjithëse e kishte ftuar Ritën në banket, nuk ngriti asnjë dolli për udhëheqjen tonë. Vallë harresë të ishte kjo? Nuk e besoj. Ishte presion. Kur ky “harroi”, përse nuk ia kujtoi Kan Sheni?! Kishte shumë mënyra. Të nesërmen në mëngjes edhe Kan Sheni, edhe Li Hsien Nieni, që të dy veç e veç, zunë shokun Rita në aerodrom, kur do të ikte, dhe i kërkuan ndjesë nga ana e Çu En Lait që “kishte harruar” të ngrinte mbrëmë në banket dolli për shëndetin e shokut Enver etj. Të tilla hile bëjnë ata. Por avazi i hilesë vazhdon. Kjo, që thashë më lart, me shokun Rita ngjau më 12 shtator. Më 18 shtator, ambasadori i Kinës këtu dha një drekë për Kryesinë e Shoqatës së Miqësisë Kinë-Shqipëri dhe, për çudi, as ambasadori kinez nuk ngriti dolli për udhëheqjen tonë, megjithëse i takonte ta bënte një gjë të tillë. Kjo në na habiti, sepse nuk e dinim akoma që po e njëjta gjë kishte ndodhur me shokun Rita në Pekin. Por tash kuptohet montazhi: ambasadori kinez veproi kështu që edhe të ftuarit e tij të mos ngrinin dolli për Mao Ce Dunin dhe, duke përfituar nga ky rast, të raportojë që shqiptarët nuk ngritën dolli për Maon. Çu En Lai do ta japë këtë lajm në udhëheqje, por duke thonë: “Shqiptarët janë hakmarrës, pra jemi një me një; unë, Çu En Lai, e bëra këtë pa dashje, kurse shqiptarët e bënë me dashje”. Ç’intriga!! Nuk ka si shpjegohen ndryshe këto gjëra, që s’duhet të bëjnë vaki.
Me pak fjalë, nga biseda e shokut Rita këto gjëra kryesore dalin, pse ka edhe hollësi të tjera të shumta që figurojnë në procesverbalin e mbledhjes së Byrosë sonë Politike, që kanë, gjithashtu, rëndësinë e tyre… [shkurtim]
E diel, 21 shtator 1969.Ambasadorët kinezë (duke përfshirë edhe ambasadorin kinez në Tiranë [në periudhën maj 1969-janar 1971, Gën Biao (Geng Biao), lindi 26 gusht 1909-vdiq 23 qershor 2000)], i cili nuk e hap këtë muhabet), kudo që takohen me njerëzit tanë, tregohen si të painformuar nga qendra e tyre në Pekin për takimin midis Çu En Lait dhe Kosiginit. Besoj se një gjë e tillë është e pamundur. Ndonjë ambasador kinez, si ai i Parisit, i thotë ambasadorit tonë: “Këto janë hipokrizitë e sovjetikëve”. Por, vihet pyetja: Pse u bë takimi? Dhe ai vetë jep një përgjigje vulgare: “Një kryeministër, kur zbret në aerodrom, pritet nga kryeministri”! Kurse në një vend tjetër ambasadori kinez pyet ambasadorin tonë: “Ç’thuhet në qarqet diplomatike për këtë ngjarje?”. Shtypi dhe radioja kineze ngurrojnë në propagandën kundër revizionistëve sovjetikë. Ata herë e vazhdojnë këtë propagandë, herë e ndërpresin; herë e ulin, herë e ngrenë; nuk po gjejnë karar. Të shohim më tej.
Shënim: Sqarimet në kllapat katrore dhe shkurtimet me trepikësh janë të “Dyrrah”-ut.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





