SHKUP, 2 maj 2013– Duke filluar nga dita e sotme, data 2 maj 2013 fillon nga funksionimi pika e kalimit kufitar për qarkullim vendor Xhepçisht – Trebisht, por vetëm për këmbësorë, njoftuan mediet e Shkupit.
Hapja e pikës së përbashkët të kalimit kufitar Trebisht (Dibër)-Xhepçisht (Tetovë) është bërë në bazë të marrëveshjes ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës së Maqedonisë, për hapjen e pikës së përbashkët të kalimit kufitar, hartuar në Tiranë më 23 nëntor 2012.
Marrëveshja është miratuar nga Qeveria shqiptare me Vendimin nr. 70, datë 23.1.2013, botuar në Fletoren Zyrtare të Republikës së Shqipërisë nr. 9, datë 14 shkurt 2013.
Pika e përbashkët e kalimit kufitar, që do të funksionojë çdo ditë nga ora 8:00-20:00 respektivisht nga ora 8:00-18:00 sipas orës vendore dimërore, destinohet për banorët e zonës kufitare, njoftoi më 1 maj 2013 Ministria e Brendshme, Byroja për Sigurinë Publike, Sektori për Çështjet e Kufirit dhe të Migracionit i Maqedonisë.
Vendndodhja e pikës së përbashkët të kalimit kufitar është në territorin e Republikës së Maqedonisë në vendin e quajtur “Livadhi”.
Sipas nenit 1, “palët ranë dakord për hapjen dhe vënien në funksionim të pikës së përbashkët të kalimit kufitar të Trebisht-Xhepçisht për qarkullimin lokal të personave dhe të automjeteve”.
Por çuditërisht, autoritetet e Shkupit kanë njoftuar se nuk do të lejohet qarkullimi i automjeteve, por vetëm i këmbësorëve, duke mos bërë sqarim për këtë kufizim.
Sipas nenit 2 të Marrëveshjes “qytetarët e zonës kufitare, të cilët do të kalojnë kufirin shtetëror duke përdorur këtë pikë të kalimit kufitar, mund të transportojnë vetëm sendet dhe mallra që janë vetëm për përdorimin e tyre personal, të cilat janë në përputhje me ligjin doganor dhe janë të përjashtuara nga pagesa e detyrimeve doganore dhe për nga natyra dhe sasia e tyre nuk janë për qëllime tregtare.
“Pika e përbashkët e kalimit kufitar Trebisht-Xhepisht nuk mund të përdoret për transportin e mallrave, përmes kalimit të kufirit shtetëror, të cilat në përputhje me ligjin doganor apo atë tatimor, u nënshtrohen detyrimeve tatimore, apo normave për kontrollin që rregullojnë lëvizjen e tyre nëpërmjet kufirit shtetëror”.
Fshati Xhepçisht (komuna e Tetovës) në Maqedoni gjendet rrëzë malit të Sharrit dhe bri fushës së Pollogut dhe numëron 4200 banorë.
Komuna shqiptare e Trebishtit përfshihet në qarkun e Dibrës dhe ka në administrim fshatrat Klenjë, Gjinovec, Trebisht-Balaj, Trebisht-Çelebi, Trebisht-Muçinë, Vërnicë.
/th. m. Agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





