NGA THANAS MUSTAQI
3 gusht 2015 – 20 vjet më parë, më 3 gusht 1995, një avion gjuajtës i talebanëve kapi në qytetin e Kandaharit (Afganistan) avionin transportues rus Il-76, me 1 304 arka me fishekë kallashnikovi të blera në Shqipëri për llogari të qeverisë anti-talebane. Fakti pak i njohur në Shqipëri, bëri bujë në opinionin ndërkombëtar. Kishte ndodhur depërtimi i shërbimit sekret taleban në Tiranë në vitin 1995. Automatikët e famshëm ishin porositur personalisht nga trafikanti më i madh i armëve në botë, i mbiquajtur “tregtari i vdekjes”, “perëndia e luftës”, Viktor But. Mendohet se ka ardhur sërish në Shqipëri, por është arrestuar një javë para tragjedisë së Gërdecit.
SHQIPËRIA DHE AFARISTI RUS
Avioni transportues rus “Il-76”, i nisur nga Shqipëria, më 3 gusht 1995, po fluturonte mbi Afganistan në drejtim të qytetit Bagram. Në qytetin e Kandaharit ai u ndalua nga talebanët. Atëherë u zunë rob shtatë rusë. U bllokuan 1 304 arkat me 3, 4 milionë fishekë të kalibrit 7,62 mm, të cilat, sipas normave ndërkombëtare, trajtoheshin si pajisje apo mjete ushtarake dhe lejoheshin për transport me avionë. Ngjarja bëri bujë në mbarë botën dhe emri i Shqipërisë përmendej kudo. Në këtë histori ndërkombëtare përmendej emri i një afaristi rus të armëve, Viktor Buot (rusisht shqiptohet “But”). Ai sot është sinonim i trafikantit të armëve. Është fakt kureshtar se Buoti ka ardhur personalisht në Shqipëri për organizmin e urës ajrore Tiranë-Kabul. Në vitin 1995, biznesmeni Viktor Buot, me leje të qeverisë ruse, bëri marrëveshje zyrtare me qeverinë e ligjshme para-talebane të Afganistanit dhe atë shqiptare për transportin e municioneve në drejtim të Afganistanit. Personalisht, Buoti erdhi në Shqipëri për të ndjekur këtë aferë të ligjshme. Për këtë qëllim u vendos një urë ajrore.
SHTYPI RUS TREGON
Në fund të korrikut 1995, ekuipazhin e avionit IL-76 e thirri në zyrën e vet menaxheri i kompanisë:
-Çuna, na ka dalë në shteg një punë e mirë. Nga Shqipëria duhet çuar një ngarkesë për në Bagram. Shkoni në Athinë, atje furnizohuni me karburant për kthimin. Pastaj në Tiranë për t’u ngarkuar…
Do të merrnin një ngarkesë me fishekë automatikësh kallashnikov. Kjo ofertë, gjithsesi, nuk shkaktoi atëherë kundërshtime. Kapiteni i mjetit Vladimir Sharpatov e shpjegon këtë gjë me faktin se u kishte takuar të transportonin me rrugë ajrore teknikë dhe municione ushtarake. Për më tepër, për furnizimin me fishekë kishte marrëveshje midis Shqipërisë dhe Afganistanit. Kishin kaluar pa incidente dy rrugë. Rejsi i 3 gushtit 1995 ishte i treti. Pritës i ngarkesës ishte ministri i mbrojtjes së Afganistanit Ahmad Shah Massoud (1953-2001) me nofkën “Luani i Panxhshirit”, faktikisht armiku kryesor i lëvizjes islamike talebane.
AGJENTË SEKRETË TALEBANË NË TIRANË?
Sipas medieve ruse, shërbimi sekret i talebanëve kishte marrë të dhëna për dy rejset dhe përgatitej për të tretin. Gjatë fluturimit mbi territorin e Afganistanit, të kontrolluar nga telebanët, nga toka erdhi komanda që të uleshin për kontrollin e ngarkesës. Flisnin rusisht. Në bishtin e avionit Il-76 ishte vënë nga pas një avion gjuajtës i talebanëve, duke demonstruar kështu se e kishin seriozisht. Inxhinieri i bordit Sergej Butuzov propozoi të fitohej kohë, por hilja nuk piu ujë. Nga një hangar po lëvizte dhe përgatitej për fluturim gjuajtësi i dytë. Nën kërcënimin e hapjes së zjarrit Il-76 u ul në aeroportin e Kandaharit. Gjatë kontrollit në një nga arkat u zbuluan predha të kalibrit të madh, të ndaluara për transport. Sipas një versioni, kjo arkë u ngarkua në bord momentin e fundit nga agjentë talebanë në Tiranë. Të shtatë pjesëtarët e ekuipazhit të avionit u vunë në arrest shtëpiak. Talebanët i akuzuan për furnizim me armë të trupave të “Aleancës së Veriut” të udhëhequr nga presidenti i Afganistanit Burhanuddin Rabbani (1940-2011) dhe ministri i mbrojtjes Ahmad Shah Massoud.
MULLA OMARI, BILL KLINTON, AL GOR, BENAZIR BHUTTO
Marrjen në pyetje të ekuipazhit e drejtonte vetë Mulla Omari (rreth viteve 1950/1952-2013). Atëherë ishte kreu i administratës vendore. Më vonë u ngrit në detyrë deri sa u bë krahu i djathtë i Bin Ladenit. Me urgjencë erdhi dhe ministri i punëve të jashtme të Pakistanit fqinj, pasi iu shmang gazetarëve. Dukej qartë së po përgatitej një deklaratë e fortë. Në bisedimet më talebanët, përveç ministrisë së punëve të jashtme të Rusisë dhe një delegacioni të Tatarstanit u angazhuan ndërmjetës nga OKB-ja dhe Organizata e Konferencës Islamike, deri dhe Presidenti amerikan Bill Klinton, zëvendëspresidenti Al Gor dhe Kryeministrja e Pakistanit Benazir Bhutto (1953-2007). Përpjekjet e diplomatëve dhe ndërmjetësve për lirimin e ekuipazhit rus nuk u kurorëzuan me sukses.
ARRATISJA
Një herë në muaj ekuipazhit i lejohej t’i bënte shërbimin teknik avionit të kapur, i cili gjatë gjithë kësaj kohe rrinte i furnizuar me karburant në aeroportin e Kandaharit. Më 16 gusht 1996, ekuipazhi me pëlqimin e talebanëve bëri shërbimin teknik të radhës. Duke shfrytëzuar dobësimin e vigjilencës për shkak të xhumasë dhe kohës së lutjeve, aviatorët ndezën aeroplanin dhe filluan ta ngrenë në ajër. Avioni nuk mundi të marrë shpejtësi për një kohë të gjatë dhe u shkëput nga toka tamam nga pllaka e fundit e pistës së fluturimit. Tri roja, të cilat në këtë moment ndodheshin në bord, u çarmatosën menjëherë. Sapo avioni mori lartësi, shërbimet e aeroportit u përpoqën pa sukses të gjenin pilotin e të vetmit gjuajtës, por ai duke qenë se ishte festë, kishte ikur nga qyteti. Pasi fluturoi një pjesë rruge në lartësinë më të ulët – 50 m (për t’iu shmangur lokatorëve), Il-76 kaloi kufirin e Iranit dhe u ul në Emiratet e Bashkuara Arabe.
“ISHIN ME ÇMIME TË LIRA”
Avioni Il- 76 çarterohej nga kompania “Transavia” me seli në Emiratet e Bashkuara Arabe. Avioni po vinte nga Ukraina dhe ishte rrugës për në Kabul, kur u kap nga një avion gjuajtës MiG-19 i talebanëve. Talebanët thanë se aeroplani rus po transportonte 3.4 milionë fishekë automatikësh kallashnikov dhe dy arka me predha kundërajrorësh. Qeveria e Presidentit Burhanuddin Rabbani pastaj pranoi çarterimin e avionit, duke këmbëngulur se nuk kishte asgjë të keqe ose të paligjshme në fluturim. “Ne blemë furnizime nga Shqipëria, sepse atje ishin me çmime të lira”, citohet të ketë thënë atëherë një zëdhënës. Pas mbi një viti avioni dhe të ekuipazhi u kthyen në Rusi.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





