TIRANE- Prokuroria për Krime të Rënda në kryeqytet kërkoi shpalljen fajtorë të dy italianëve, që tentuan të trafikonin drejt Italisë pjesë të çmontuara të dy armëve të tipit “Kallashnikov” dhe shqiptarit që ua shiti ato.
Italianët, Ricardo Gagliardi dhe Antonio-Muarizio Carriero, konsumuan veprën penale të “trafikut të armëve dhe municioneve” të mbetur në tentativë, ndërsa 19-vjeçari Orland Smoqi atë të “armëmbajtjes pa leje”.
Tre të pandehurit u arrestuan në fillim të muajt maj në brendësi të portit të Durrësit në momentin që po tentonin të kalonin doganën shqiptare për të hyrë në tragetin e linjës “Durrës-Bari”. Gjatë kontrollit të mjetit të tyre, tip “Lancia” me targa “BM 866 EM”, policia gjeti dhe sekuestroi pjesë të çmontuara të të dy armëve.