Ditët e para të kësaj jave puna në portin e Durrësit, në sektorin e ngarkim- shkarkimit, ka qenë intensive dhe po ashtu pritet të vazhdojë të paktën deri të premten. 9618 ton mallra dhe 400 copë kontenierë janë përpunuar deri më tani. Më datë 20 shtator, anija Tennur e ankoruar në kalatën numër 5, ka shkarkuar në port 4787 ton llamarinë, ndërsa sot 3112 ton melaminë janë shkarkuar në kalatën 2, nga anija Albatros, 1956 ton hekur është shkarkuar nga anija Guler në kalatën 1, Frojdi III po ashtu ka sjellë në vendin ton 1719 ton hekur dhe është ankoruar në kalatën 5, ndërsa MSC Augusta ka shkarkuar në kalatën 6, 400 copë konteinerë.
Me datë 22 shtator anija Bjorg do të shkarkojë 76 copë konteinerë në kalatën 6, Frojdi II do të ankorohet në kalatën numër 4, ku do të shkarkojë 1267 rifuxho me sojë, ndërsa anija Explorer do të shkarkojë në kalatën numër 5, 3296 ton melaminë dhe llamarinë.
Të premten në kalatën 10 të portit do të shkarkohen plot 10 848 ton tuba çeliku, nga anija tregtare Red Jacket.
Në total për një periudhë pesë ditore, pritet që në portin më të madh në vend të përpunohen 25 718 mallra dhe 476 copë konteinerë. Ajo çka bie në sy nga raportin e anijeve tregtare në faqen zyrtare të Autoritetit Portual Durrës, është fakti se anijet vetëm shkarkojnë, pra në Shqipëri këtë javë futen vetëm mallra importi nga Durrësi, por asnjë anije nuk niset për eksport drejt shteteve të tjera.
R.O.





