Vendimi përfun dimtar u mor pak orë para ndeshjes me Lacion, por që ndaj SPAL-it kuqezinjtë kishin nisur të mendonin për Ibrahimoviçin si titullar në “Olimpico”. Sa i përket minutazhit ai nuk ishte në shërbim të plotë, ndaj edhe Pioli nuk e pati të lehtë të kuptonte nëse duhet ta aktivizonte si titullar apo në lojë e sipër nëse gjërat nuk merrnin rrjedhën e duhur. Zgjedhja e trajnerit rezultoi ideale dhe Ibra u kthye duke lënë pas një dëmtim që ndoshta do të kishte mbyllur sezonin për çdo 38-vjeçar tjetër.

Siç ishte e pritshme, suedezi luajti vetëm një pjesë loje. Mjaftueshëm edhe aq, në fakt, sepse pas një muaji ndalesë, çdo minutë më shumë do të përbënte rrezik për pulpën e saposhëruar. Përveç golit, Ibra u përfshi në aksionin e golit të Çalhanoglusw, teksa shumicën e lëvizjeve i kreu në rrethin e mesit të fushës ku jo rrallë bëri edhe regjisorin. Përballë Strakoshës nuk dështoi, jo vetëm sepse shënoi një gol vendimtar me 11- metërsh, por edhe sepse diti të “shponte” shqiptarin me aksionin e bërë të pavlefshëm nga anësori Bindoni. Lodhja ishte e pritshme ashtu si mungesa e frymës. Në fakt, më shumë sesa fryma e tij, në minutën e 41-të u ndal ajo e milanistëve kur sulmuesi u rrëzua dhe mori pak kohë për t’u ngritur.

Në 13 ndeshje me suedezin në fushë ekipi ka grumbulluar 25 pikë, teksa mesatarja e pikëve është 1.92 për sfidë. Ndikimi në qasjen e shokëve në fushë ka qenë i dukshëm sepse me 38-vjeçarin në fushë Milani është mundur vetëm në dy raste, teksa kanë qenë 4 barazimet.

Plot 7 fitore me Zlatanin në fushën e blertë që falë katër golave ka ndikuar në 7 nga 25 pikët që kuqezinjtë kanë grumbulluar pas zbarkimit të tij në “Milanello”. Ndeshja ndaj SPAL-it është shembulli më i freskët për atë që jep Ibra, teksa Juvja do të jetë testi radhës për suedezin me shokët që në rast suksesi, mund të synojnë pa ndrojtje Europën…