Një 25-vjeçar është kapur nga njësia FAST në Tiranë. I riu Geraldo Skënderi u arrestua në kuadër të operacionit “Castellon 2” pasi ishte në kërkim nga drejtësia spanjolle.

“Arrestimi provizor i këtij shtetasi u bë pasi Gjykata e Castellon Spanjë, i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Trafik droge”, “Organizatë kriminale” dhe “Vjedhje e energjisë elektrike”, të parashikuar nga Kodi Penal i Spanjës”, njoftoi policia.

Skënderi në bashkëpunim me shtetas të tjerë shqiptarë e spanjollë, merrnin shtëpi me qira në zonën e Castellonit dhe i përshtasnin për të kultivuar bimë narkotike me anë të llambave.

Interpol Tirana vijon procedurat ligjore për ekstradimin e tij drejt Spanjës.