Një 24-vjeçar është arrestuar në flagrancë në Tiranë, pasi dyshohet se përndiqte dhe kanoste në mënyrë të përsëritur një shtetas përmes profileve të falsifikuara në rrjetet sociale, me qëllim për t’i marrë një shumë parash.
Arrestimi i tij u bë në momentin kur po merrte shumën monetare, në kuadër të operacionit policor të koduar ‘Accountet’, të zhvilluar nga specialistët e Sektorit për Hetimin e Krimeve Kibernetike në bashkëpunim me Forcën e Posaçme Operacionale të DVP Tiranë, nën drejtimin e Prokurorisë.
“DVP Tiranë/Finalizohet operacioni policor i koduar ‘Accountet’. Përndoqi dhe kanosi një shtetas, nëpërmjet profileve të falsifikuara në rrjete sociale, me qëllim për t’i marrë një shumë parash, arrestohet në flagrancë 24-vjeçari.
Pas marrjes njoftim se një shtetas, në mënyrë të përsëritur, përndiqte dhe kanoste nëpërmjet platformave virtuale një shtetas, duke i kërkuar një shumë parash, specialistët e Sektorit për Hetimin e Krimeve Kibernetike, në bashkëpunim me Forcën e Posaçme Operacionale të DVP Tiranë, nën drejtimin e Prokurorisë, organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar ‘Accountet’.
Në kuadër të operacionit u vu në pranga shtetasi K. G., 24 vjeç, banues në Tiranë, i cili u kap në flagrancë në momentin e marrjes së shumës monetare.
Nga veprimet hetimore dyshohet se ky shtetas, duke përdorur profile të falsifikuara në platformat virtuale, ka përndjekur dhe kanosur shtetasin D. P., duke e shtrënguar për t’i dhënë një shumë parash.
Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan një shumë parash dhe 2 aparate celularë.
Vijon puna për identifikimin e personave të tjerë të përfshirë dhe dokumentimin e plotë të rastit.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë, për veprat penale ‘Përndjekja’, ‘Shtrëngimi me anë të kanosjes për dhënien e pasurisë’, ‘Falsifikimi kompjuterik’ dhe ‘Keqpërdorimi i pajisjeve’”, shkruan Policia.





