Një aksident rrugor është regjistruar në aksin Lushnjë-Berat, ku një automjet ka dalë nga rruga dhe ka përfunduar në kanalin anësor.

Drejtuesi i mjetit, një shtetas i huaj 32-vjeçar me emrin Smarsuel Gurezi, me profesion pastor, ka mbetur i plagosur si pasojë e aksidentit.

Sipas informacioneve paraprake nga vendi i ngjarjes, automjeti tip “Dacia” ka dalë nga rruga dhe është përmbysur në kanalin buzë saj. Fatmirësisht, kanali nuk kishte ujë, duke shmangur një rrezik më të madh për jetën e drejtuesit.

Për shkak të përmbysjes, dyert e automjetit u bllokuan dhe 32-vjeçari mbeti i bllokuar brenda. Për nxjerrjen e tij u desh ndërhyrja e forcave zjarrfikëse, të cilat prenë llamarinat e mjetit dhe e nxorën nga makina.

I plagosuri u transportua për ndihmë mjekësore në spitalin e Lushnjës dhe, sipas të dhënave të para, ndodhet jashtë rrezikut për jetën.

Policia ka nisur hetimet për zbardhjen e rrethanave të aksidentit, ndërsa dyshimet paraprake lidhen me shpejtësinë e lëvizjes ose një parakalim të gabuar nga drejtuesi i automjetit.