Të braktisur dyfish, edhe nga qeveria edhe nga bashkia. Mund të thuhet me plot gojën se të pastrehët e tërmetit në Durrës janë lënë në mëshirë të fatit nga shteti.

Rreth 2500 familje që trajtoheshin me bonus qiraje në Durrës deri në mars 2023 fatkeqësisht nuk do t’i marrin më paratë që qeveria Rama u premtoi, pasi fatkeqësia natyrore e 26 nëntorit 2019 i la pa shtëpi.

E pyetur në mbledhjet e Këshillit Bashkiak lidhur me bonusin e qirasë, kryebashkiakja Emiriana Sako ka nënvizuar gjithnjë se ishin në pritje të një përgjigje nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë lidhur me këtë çështje.

Por kryetarja e bashkisë ka fshehur një detaj “të vogël”, institucioni i drejtuar prej saj ishte plotësisht në dijeni prej muajsh se Ministria nuk do ta akordojë më bonusin.

“DurrësLajm” e zbulon këtë nga një hulumtim që bëri në Regjistrin e kërkesave dhe përgjigjeve të publikuar online.

Në përgjigjen e kërkesës për informacion që mban datën 05/12/2023, të interesuarit/ës i kthehet ndër të tjera kjo përgjigje: “Nëpërmjet shkresës nr.5897 të Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë të gjitha Bashkitë janë njoftuar se subvencionimi i qirasë pas muajit Mars 2023 nuk do të financohet nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë, por duhet parashikuar nga buxheti i Bashkisë”.

Pra, qeveria Rama hoqi dorë që nga marsi i vitit të kaluar nga akordimi i fondeve për të pastrehët e tërmetit duke ia kaluar topin pushtetit lokal, që t’i japë zgjidhje kësaj problematike. Shkresa e ministrisë mban datën 30 mars dhe bashkia ishte në dijeni prej muajsh se duhet të gjente vetë një zgjidhje për këto familje.

Qeveria Rama, përmes shkresës së Ministrisë së Financave, u ngarkon njësive të qeverisjes vendore një barrë të rëndë financiare, ndoshta përtej kapacitetit të buxhetit të tyre.

Buxhetet e bashkive miratohen në Këshillat Bashkiak në fund të vitit paraardhës dhe ndërhyrjet për rishikimin e tyre, sidomos kur bëhet fjalë për një vlerë kaq të lartë monetare, janë thuajse të pamundura.

Pas zvarritjes së procesit të rindërtimit, i cili sipas deklaratave të ish-zv/kryeministrit Ahmetaj do të përfundonte deri në shtator 2022, kjo është goditja e dytë që qeveria Rama u bën të pastrehëve të tërmetit.

Nga ana tjetër, pushteti vendor në Durrës nuk ka marrë asnjë masë që në buxhetin e këtij viti të planifikohet një zë i veçantë për bonusin e qirasë për të pastrehët e tërmetit. Në buxhetin afatmesëm (2024-2026), bashkia Durrës planifikon të shpenzojë 878,645,716 milionë lekë për procesin e Rindërtimit, por këto para do të përdoren për riforcimin e pallateve me shkallë dëmi DS4.

Në korrik të vitit të kaluar, kryebashkiakja Sako deklaronte në mbledhjen e Këshillit Bashkiak:

“Presim që paratë të vijnë dhe t’ua kalojmë menjëherë qytetarëve. Në rast se do të marrim përgjigje negative patjetër që do t’i vëmë në dijeni qytetarët, por do të shohim mundësinë e buxhetit tonë për të bërë financimin”.

Paratë nuk do të vinin më, pasi ministria e kishte bërë të qartë, por bashkia nuk parashikoi në buxhetin 2024 asnjë financim për bonusin e qirasë!

Klithmat e qytetarëve të dëshpëruar ditën e martë në dyert e bashkisë Durrës, ditë kur kryetarja e bashkisë zhvillon takime me qytetarët, janë dëshmi e mllefit të fatkeqëve që ndihen të braktisur nga institucionet.

Rikthimet e dëshpëruara të qindra familjeve në pallatet e dëmtuara nga tërmeti, që “DurrësLajm” i ka pasqyruar disa herë përgjatë muajit të fundit, dëshmojnë qartë dorëzimin e qytetarëve.

Pas goditjes së fortë që tërmeti u dha 4 vite më parë, tani qeveria dhe bashkia u japin goditjen fatale duke i detyruar të rifuten në ato banesa që mund të konsiderohen me plot gojën: Rrezik vdekje!

M.B.