Udhëtime, aeroporte, pasaporta, autobusë, trena dhe gjithçka tjetër. Të gjitha gati për në… transfertë. Kjo është jeta përtej fushës së lojës për një futbollist dhe më mirë se kushdo këtë aspekt e njeh një legjendë spanjolle.

Bëhet fjalë për Raul Gonzales, i cili nuk do të mbahet mend vetëm për golat që ka shënuar me skuadrën e Realit, por edhe për faktin që është lojtari me më shumë kilometra të përshkuara në historinë e futbollit. Legjenda madrilene ka grumbulluar 1 milion e 93 mijë kilometra, të barabarta me 27 udhëtime rreth e rrotull botës.

Pas ish-numrit shtatë të Realit të Madridit renditet një ish-lojtar i Juventusit. Bëhet fjalë për çekun Nedved, i cili ka përshkuar 1 milion e 73 mijë kilometra në karrierën e tij. Dy lojtarët e mësipërm janë të vetmit që kanë arritur më shumë sesa një milion kilometra, ndërsa vendin e tretë e zë Roberto Karlos. Mbrojtësi brazilian ka udhëtuar 984 mijë kilometra. Pas tij vijnë Maradona, Zidan, Bekham dhe Pele. Ndërkohë, lojtari me më shumë kilometra që luan ende futboll është Kasijas me 908 mijë.