Gjatë 24 orëve të fundit në vend janë raportuar 28 vatra zjarri, nga të cilat 5 vijojnë të jenë aktive.

Për shuarjen dhe izolimin e flakëve janë angazhuar 64 automjete zjarrfikëse, 631 forca operacionale, 90 efektivë të Forcave të Armatosura, 3 helikopterë dhe një avion “Air Tractor” i Forcës Ajrore.

Situata më problematike vijon të jetë në Mallakastër, në fshatrat Riban dhe Ngraçan, ku ndërhyrjet nga toka dhe ajri kanë bërë që zjarri të shkojë drejt izolimit. Në këtë zonë janë angazhuar forca zjarrfikëse nga disa bashki, efektivë të ushtrisë, policisë, vullnetarë dhe mjete ajrore. Për arsye sigurie, katër familje janë evakuuar përkohësisht.

Në zonën e Dajtit vijon operacioni për shuarjen e zjarrit, ndërsa autoritetet bëjnë me dije se nuk ka rrezik për zonat e banuara.

Në qarkun e Elbasanit po punohet në zonat Shqiponjë, mali i Dardhës dhe Mjekës. Zjarri në Shqiponjë është vënë nën kontroll, vatra në malin e Dardhës është izoluar, ndërsa në Mjekës vijon ndërhyrja për shuarjen përfundimtare.

Ndërkohë, zjarret në Stegopull-Selckë dhe Levenishtë në Gjirokastër janë shuar dhe zonat po monitorohen. Edhe në Dibër, vatra në Pocest është fikur pas ndërhyrjes së forcave operacionale.

Sipas të dhënave zyrtare, nga zjarret janë prekur rreth 34.5 hektarë me barishte, shkurre, pisha dhe pyje të përziera.

Autoritetet vijojnë monitorimin e situatës në të gjithë vendin.