Një shtetas me origjinë shqiptare, rreth 40 vjeç është arrestuar në Spanjë, pasi akuzohet për veprën penale të vrasjes së mbetur në tentativë.

Sipas mediave të huaja shqiptari i ka prerë fytin me gotë një personi tjetër, shtetas spanjoll, në klubin e natës Jaleo në La Hernán Cortés, sheshi de Castelló.

Ngjarja ka ndodhur të shtunën, rreth orës 02:30, kur pas një përleshje brenda ambienteve të klubit të natës ndërsa  të pranishmit shpërthyen në britma dhe ulërima nga ajo që kishte ndodhur.

Fill pas ngjarjes, sulmuesi u largua nga lokali duke ecur, i vetëm, me duart tërësisht të gjakosura, si dhe me shpinën dhe qafën e njollosur.

Ai është nisur drejt rrugës Pescadores, i ndjekur nga një dëshmitar, i cili ka pasur guximin ta incizojë me celularin e tij në mënyrë që të regjistrohet imazhi dhe veshja e tij, siç kanë shpjeguar të pranishmit në ngjarje.

Teksa largohej, i arrestuari, i veshur me një xhaketë lëkure të lagur me gjak, përsëriti: “Nuk kam bërë asgjë”.

I plagosuri ndodhet në spital, ku iu desh të operohej si pasojë e një plage të thellë që ishte vetëm pak centimetra larg arteries karotide, e cila do t’i kishte shkaktuar vdekjen e menjëhershme.