Sot fotografia ka “luksin” t’ju përkasë të gjithëve pa përjashtim. Mjafton një aparat celulari në dorë dhe çdo njeri prej nesh, pa dallim moshe, mundet të kapë momentin, i cili nuk kthehet më kurrë.

Deri para pak viteve, aparatet dixhitalë nuk njiheshin dhe fotografitë laheshin në studio nga fotografët e specializuar për këtë punë. Këtë mundësi e kishin vetëm pak njerëz, të cilët mundeshin të fiksonin foto me aparatin fotografik. Një prej tyre ishte edhe Rakip Peqini, ish-fotograf i gazetës “Adriatiku” në Durrës. Për plot 47 vite, Peqini ka mbajtur përherë me vete një aparat fotografik, ndërsa udhëtonte nëpër Shqipëri. Edhe sot që është në moshë të thyer, ai është shumë nostalgjik.

Fotografi Rakip Peqini ka kaluar një jetë midis aparatit fotografik dhe studios së larjes së filmave. Edhe sot, shumë foto i ruan me nostalgji në banesë. Madje, në një kënd të shtëpisë së tij, është ruajtur edhe një laborator i zhvillimit të fotove, si bëhej në atë kohë. Ndërsa flet me të, ndjehet në çdo fjalë nostalgjia për fotot, por me shumë mall ai flet edhe për kohën kur ka punuar si fotograf i gazetës lokale “Adriatiku” të rrethit të Durrësit. 47 vite pune nuk ja kanë zbehur pasionin fotografit, që ka realizuar me mijëra foto gjatë karrierës së tij.

Megjithëse pensionist, fotografi i vjetër mbetet në shpirt një fëmijë shëtitës me fotoaparat në dorë. Gazeta “Adriatiku”, ku punoi për një kohë të gjatë Rakipi ishte një botim periodik lokal, gjatë kohës së regjimit socialist dhe vitet e para të demokracisë. Gazeta nisi botimin e saj në vitin 1967, për të vijuar deri në 1994.

K.H.