27 shtator 2015 – Bullgarët “ruajnë konspiracion të madh dhe vëzhgojnë e ndjekin së tepërmi njerëzit e ambasadës sonë, të cilët i kemi këshilluar të ruhen nga provokacionet dhe të evitojnë në këto kohë takimet me miqtë bullgarë, pse mund të dëmtohen”, shkruante para mbi 50 vjetësh në ditarin e vet lideri stalinist i Tiranës Enver Hoxha lidhur me një grusht shteti të dështuar në Sofje për rrëzimin e homologut të tij hrushovian prosovjetik Todor Zhivkov (1911-1998). Në arkivat sekrete bullgare janë zbuluar dokumente të ndryshme që flasin për survejimet që u bënte ish-sigurimi i shtetit i këtij vendi ballkanik ambasadave të Shqipërisë, Kinës dhe vendeve të NATO-s. Madje supozohej se diplomatët dhe rezidentët e sigurimit të shtetit të Shqipërisë deri në vitin 1983 bashkëpunonin me Perëndimin kundër Bullgarisë, ish-Bashkimit Sovjetik dhe Traktatit të Varshavës. Ka zëra në historiografinë e sotme ruse që prishja e Tiranës dhe Moskës në vitet 1960-1961 ishte skenar i Perëndimit që duhej përsëritur në Sofje. Në këtë kuadër sigurimi bullgar dhe KGB-ja përhapën lajme dhe për një grusht shteti të organizuar në tetor 1964-prill 1965 nga elementë proshqiptarë e prokinezë dhe inteligjenca perëndimore. Këtë e thotë në një shënim të tijin edhe Enver Hoxha: “Agjencitë e lajmeve e kanë përhapur lajmin në mënyrë konfuze. Ca thonë se revolta është “prokineze dhe proshqiptare””, apo: “Dimë, gjithashtu, me siguri se në aktivin e Sofjes, që u bë pas këtyre ngjarjeve, ku foli Mitko Grigorovi [1920-1987, në atë kohë sekretar i komitetit qendror të PKB-së],  njerëzit “u vunë në korrent” dhe u shpif se gjoja kjo gjë qe nxitur dhe organizuar nga ambasadat shqiptare dhe kineze në Sofje, por nuk u dhanë hollësira. Pyetjeve qysh e tek, nuk u dhanë përgjigje”. Në këtë numër portali “DurresLajm” po boton pjesë nga Ditari i Enver Hoxhës dhe një sfond për ngjarjen pak të njohur.

NGA DITARI I ENVER HOXHËS

E martë, 13 prill 1965

Ambasada jonë nga Sofja na lajmëron se atje është zbuluar një grup i organizuar kundër udhëheqjes revizioniste të Zhivkov-it. Kanë filluar arrestimet dhe flitet se janë futur në burg disa gjeneralë. Disa zëvendësministra dhe sekretarë partie kanë vrarë veten ose janë arrestuar. Flitet gjithashtu se është arrestuar Raiko Damianov-i [1904-1986, anëtar i byrosë politike së partisë komuniste dhe zëvendëskryeministër], bile edhe Anton Jugov-i [1904-1991, anëtar i byrosë politike së partisë komuniste, ministër i brendshëm dhe kryeministër i Bullgarisë, qytetar nderi i Tiranës, në foton poshtë në Shqipëri në vitin 1957, me Enver Hoxhën].

Revizionistët i kanë keq punët. Ky është fillimi. Në Bullgari do të ketë ngjarje, pavarësisht se u zbuluan ose u arrestuan disa. Zhivkov-in dhe klikën e tij s’e do njeri. Këta mbahen me zor prej sovjetikëve.

E martë, 20 prill 1965

Pritëm mjaft kohë për të marrë informata më të hollësishme mbi “revoltimin e bullgarëve”, por s’po merren vesh shumë gjëra, sepse ata ruajnë konspiracion të madh dhe vëzhgojnë e ndjekin së tepërmi njerëzit e ambasadës sonë, të cilët i kemi këshilluar të ruhen nga provokacionet dhe të evitojnë në këto kohë takimet me miqtë bullgarë, pse mund të dëmtohen.

Sidoqoftë tani është e sigurt se atje është zbuluar nga sigurimi bullgaro-jugosIlavo-sovjetik një kundërshtim i organizuar kundër Zhivkos dhe shokëve të tij. Janë arrestuar, sa dimë ne, disa gjeneralë, ka vrarë veten një ministër, një sekretar rrethi (i Vracës), një ministër tjetër është arrestuar. Thonë se kanë arrestuar ish-anëtarët e Byrosë, Raiko Damianov-in, Anton Jugov-in, kanë arrestuar dhe pushuar rreth 1 000 oficerë, kanë përjashtuar vetëm nga rrethi i Vracës afro 4 000 anëtarë partie. Natyrisht, këto të dhëna të fundit duhet të verifikohen, por që në Bullgari tani mbretëron terrori dhe frika, kjo s’ka dyshim. Dimë, gjithashtu, me siguri se në aktivin e Sofjes, që u bë pas këtyre ngjarjeve, ku foli Mitko Grigorov-i, njerëzit “u vunë në korrent” dhe u shpif se gjoja kjo gjë qe nxitur dhe organizuar nga ambasadat shqiptare dhe kineze në Sofje, por nuk u dhanë hollësira. Pyetjeve qysh e tek, nuk u dhanë përgjigje.

Flitet se kjo revoltë do të rrëzonte udhëheqjen me forcë, me armë, bile ditën e 1 Majit, dhe kryengritësit kishin marrë masa që të pengonin ardhjen në ndihmë të forcave dhe të aviacionit sovjetik. Flitet, gjithashtu, se arrestimet drejtohen nga oficerë madhorë jugosllavë që punojnë të maskuar në Ministrinë e Brendshme Bullgare.

Agjencitë e lajmeve e kanë përhapur lajmin në mënyrë konfuze. Ca thonë se revolta është “prokineze dhe proshqiptare”, disa të tjerë thonë se filan gjeneral u arratis në Rumani, ai tjetri në Jugosllavi, se gjoja kufijtë e Greqisë dhe të Turqisë janë mbyllur etj.

Të gjitha këto bëhen për të krijuar mjegull. Bullgaria s’flet fare.

Unë mendoj se kjo është një gjë serioze dhe e natyrshme, bile ngjau me vonesë, por, si duket, organizimi ka pasur defekte dhe nga të çarat penetroi provokacioni.

Sipas të dhënave, proporcioni është i madh, arrestimet janë natyrisht të shumta pse frika e zhivkovistëve dhe e sovjetikëve është e madhe. Po përdoren në arrestime dhe në përjashtime nga partia dhe nga puna metodat barbare titiste:  piazza pulita, burg, fushë përqendrimi, qoftë edhe për supozim dyshimi më të vogël.

Sigurisht të gjithë as që i kanë arrestuar dot, dhe as do t’i arrestojnë dot. Sidoqoftë shkëndija u ndez. Ajo dalëngadalë do të bëhet zjarr i madh.

Udhëheqja revizioniste e Zhivkos është nga më të diskredituarat, më pa vlerë dhe më e rrëzueshmja që mund të bëhet. Ajo, me siguri, i ka kundër të gjithë dhe ky kundërshtim do të shtohet. Kjo udhëheqje në fakt mbahet në këmbë nga agjentura sovjetike dhe ajo jugosllave që është futur dhe do të futet akoma më thellë në Bullgari, në qoftë se nuk i pritet rruga.

Me fjalë të tjera, Bullgaria po bëhet një pikë e dobët për revizionistët modernë. Sovjetikët, jugosllavët shohin se me Zhivkon në krye nuk ecet dhe me siguri mendojnë që ta zëvendësojnë. Por me kë? Këtu është çështja. Sigurisht në këtë mes nuk shikohet interesi i Bullgarisë, por interesi i sovjetikëve dhe i jugosllavëve. Pra këtu të dy po luftojnë, kush të trashëgojë Bullgarinë. Gjithsecili nga këta të dy do të kërkojë të vërë në fuqi njerëzit e vet, ose jugosllavët, në pamundësi të mundin konkurrentin e madh, do të pranojnë të ndajnë fuqinë në mes të agjenturave të tyre.

E mjera Bullgari në ç’ thonj ka rënë!

Interesante është çështja e Jugov-it. Ç’qëndrim mban ai? Ç’pjesë ka marrë ai në këtë revoltim? Në qoftë se me të vërtetë atë e kanë arrestuar, atëherë ka shpresa që ai të ketë vënë mend, ta ketë parë situatën dhe me gjithë gabimet, fodullëkun dhe mendjemadhësinë e tij, ai bëhet më i miri nga të vjetrit dhe është më energjiku. Sa për Çervenkovin [Vëlko,1900-1980, sekretar i përgjithshëm i partisë, kryeministër dhe zëvendëskryeministër, kunat i Gjergj Dimitrov-it] ai s’është njeri i aksionit, pavarësisht se mund të mos jetë i keq.

Por ngjarjet do të zhvillohen dhe do të shohim më qartë në situatën bullgare.

Shënimet në kllapat katrore janë të “DurresLajm”-it

SFONDI

Përsëritje e skenarit shqiptar

Aty nga viti 1945, opozita pro-perëndimore në Bullgari ka qenë jashtëzakonisht e dobët, por kursi haptas pro-sovjetik nga mesi i viteve 1950 ringjalli mosmarrëveshjet brenda udhëheqjes së vendit. Për shembull, nëse Gjergj Dimitrov-i [1882-1949, sekretar i përgjithshëm i KQ të P. K. B-së dhe Kryeministër më 1946-1949; sekretar i përgjithshëm i KE-së të Internacionales Komuniste më 1935-1943] dhe pasardhësi i tij Vasil Kolarov [1877-1950] i lejonin vetes të bënin debat me Josif Visarionoviç Stalinin [1878-1953], për shembull, për projektin e Josip Broz Tito-s [1892-1980] lidhur me “konfederatën ballkanike”, që nisi t’u interesonte udhëheqësve bullgarë, pas atyre nuk ka pasur kurrfarë mosmarrëveshjesh mes Sofjes dhe Moskës. Përveç kësaj, Bullgaria kufizohej me Jugosllavinë e Titos, si dhe me Rumaninë, udhëheqja e së cilës pas vdekjes së Stalinit gradualisht po largohej nga Moska. Këto rrethana gjithashtu luajtën një rol përcaktues në përpjekjen për të ndryshuar orientimin politik-ideologjik të Bullgarisë në mesin e viteve 1960.  Në fakt, skenari bullgar i ndërrimit të pushtetit supozonte përsëritjen e skenarit shqiptar në fundvitet 1950-fillimvitet 1960, mendon një historian rus. Po përvijohej, kështu, aleanca “staliniste-joprosovjetike” e Shqipërisë, Rumanisë dhe Bullgarisë. Kjo perspektivë ngjasonte me propozimin e Kinës për krijimin e një bashkimi politik-ekonomik të Shqipërisë, Jugosllavisë dhe Rumanisë. Është për t’u përmendur se në atë kohë u thellua kundërvënia sovjeto-kineze dhe, në fund të fundit, ky skenar synonte, ndër të tjera, përforcimin e mëtejshëm të konfrontimit midis Moskës dhe Pekinit. Kështu, Perëndimi praktikisht po ndihmonte Pekinin në planet që kishte për thellimin e çarjes si në bashkësinë e vendeve socialiste, ashtu dhe në lëvizjen komuniste botërore, thotë historiani.

Nga qyteti Stalin në Varna

Në Bullgari, gjithashtu, po ndodhnin procese jo të thjeshta. Kryeministri dhe kreu jozyrtar i partisë komuniste në vitet 1950-1954 Velko Çervenkov ndoqi në politikë staliniste. Todor Zhivkov, i cili e zëvendësoi, filloi shpejt të ndjekë një vijë më pak të ashpër, duke e shënuar këtë vijë simbolikisht me riemërtimin (në vitin 1955) të qytetit Stalin me Varna, me të cilin i ktheu qytetit, një nga më të mëdhatë në vend, emrin historik. Zhivkov-i dhe ekipi i tij përsëritën të gjitha simptomat pas-staliniane në politikën e brendshme të Bashkimit Sovjetik, ideologjinë dhe propagandës së tij. Nga ana tjetër Zhivkov-i këshilloi Moskën të pranonte “socializmin vetadministrues” jugosllav. Por edhe pas kongreseve XX dhe XXII PKBS grupi “stalinist” kryesisht ruajti pozitat e veta në udhëheqjen e Bullgarisë, meqenëse T. Zhivkov-i nuk ishte i vendosur për destalininizim radikal. Së pari, për shkak të numrit të madh të kuadrove me prirje prostaliniste në skalionet e larta dhe sidomos të mesme të pushtetit. Së dyti, siç thuhet, në çdo rast: befas këto figura do të ishin të përshtatshme po të përkeqësoheshin marrëdhëniet e Sofjes me Moskën.

Komplotistët

Grupin e komplotistëve e udhëhiqte Ivan Todorov-Gorunja, anëtar i KQ të partisë. Bashkëpunëtorët e tij më të afërt ishin komandanti i garnizonit të Sofijes të ushtrisë bullgare gjeneral Cvjatko Anev dhe shef sektori në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Bullgarisë Colo Kristev. Në tërësi komploti ishte tejet i degëzuar. Sipas të dhënave të Ilija Karagonov-it, pjesëmarrës i grushtit të dështuar të shtetit, në grupin e komplotistëve kishin hyrë më shumë se njëqind zyrtarë partiakë dhe shtetërorë, si dhe disa oficerë të vjetër dhe të lartë të ushtrisë dhe policisë. Midis tyre, për shembull, shefi i kabinetit i Ministrisë së Mbrojtjes koloneli Ivan Velçev, shef departamenti i shtabit të përgjithshëm Ljuben Dinov, zëvendësshefi i drejtorisë politike të ushtrisë Miço Ermenov, koloneli i Ministrisë së Puëve të Brendshme Canko Cankov. Gjithsej numri i të “përkushtuarve” dhe të simpatizuesve të komplotit arrinte në rreth 200 veta. Jo të gjithë prej tyre synonin, sipas I. Karagonovit, restaurimin e stalinizmit, por në shumicën dërrmuese ishin për pavarësi nga BS-ja dhe PKBS-ja – duke ndjekur shembullin e Jugosllavisë dhe Shqipërisë së atëhershme.

Rrjedhje informacioni

Parashikohej që grushti i shtetit të bëhej më 14 prill 1965 në plenumin e KQ të Partisë. Sipas skemës, vërehet, pothuajse analogjike me planet e Beria-s në verën 1953-shit… dhe me operacion tashmë për arrestimin e tij në plenumin KQ të PKBS në fund të qershorit të vitit 1953. Anev-i u duhej të vinte në veprim njësi të garnizonit dhe të merrte nën kontroll objektet kyçe të kryeqytetit; Velçev-i – të nxirrte në Sofje brigadën tankiste, kurse Ermenov-i – divizionin. Cankov-it i ishte ngarkuar të “merrte” udhëheqjen e Drejtorisë së Sofjes të MPB. Ndërsa Todorov-Gorunja dhe Kristevi duej të vinin KQ-në para faktit të kryer të marrjes së pushtetit, duke hequr Zhivkov-in nga udhëheqja e vendit. Pastaj planifikohej të shpallej “pezullimi i përkohshëm i pjesëmarrjes së Bullgarisë” në Traktatin e Varshavës. Por ndodhi rrjedhje informacioni. Sipas disa të dhënave, shërbimet sekrete të SHBA-së, Gjermanisë dhe Britanisë së Madhe pothuajse në momentin e fundit nuk guxuan të mbështesnin komplotin “prostalinist” në Bullgari. Kjo, me sa duket, për të parandaluar shfaqjen në Evropë edhe të një Shqipërie tjetër të paparashikueshme. Ku, meqë ra fjala, në vitet 1970 nga Kina në Shqipëri mbërritën armë kimike dhe madje raketa balistike me rreze të mesme veprimi.

A kishte interes Tirana?

Hrisan Hristov, rezident i zbulimit bullgar në vitet 1966-1975 në radion “Evropa e Lirë” (Munih, RFGJ), e krijuar dhe financuar nga CIA, raportonte në mënyrë të përsëritur në Sofje se emisarë të shërbimeve sekrete të vendeve të mësipërme në vitet 1964-1965, më se një herë u takuan me C. Kristev-in dhe disa organizatorë të tjerë të komplotit. Planifikohej të tërhiqeshin në këto takime zbulimet e Kinës dhe Shqipërisë, ndonëse ato nuk kanë reaguar ndaj “sinjaleve” përkatëse. Vlen të përmendet se jo në Kinë, por në Shqipërinë pro-kineze në atë periudhë u përforcua ndjeshëm kritika për Zhivkov-in, teksa deklarohej se “vetëm komunistët e vërtetë të Bullgarisë mund të rivendosin socializmin e vërtetë në këtë vend dhe të parandalojnë nënshtrimin e saj të plotë ndaj Moskës”. Ka baza të supozohet se në Shqipëri (dhe, ndoshta, në Kinë) ishin në dijeni të planit për rrëzimin e Zhivkov-it. Megjithatë, ka gjasa të besohet se një ndryshim kardinal i balancës politike në Ballkan nuk hynte në planet e Kinës dhe, për më tepër, në planet e Shqipërisë. Para së gjithash, për shkak se Jugosllavia, Rumania dhe Shqipëria nuk ishin dakord me propozimin e Pekinit për të krijuar një bllok pro-kinez ushtarak-politik dhe ekonomik të Pekinit mes këtyre tre vendeve. Përveç kësaj, “bashkëpjesëmarrja” e Kinës dhe Shqipërisë në grushtin bullgar të shtetit mund të përkeqësonte dhe pa atë marrëdhëniet konfliktuale me BRSS, dhe në një kontekst më të gjerë – të shkaktonte hyrjen e trupave sovjetikë në Bullgari. Dhe, ka shumë të ngjarë, – operacion të Moskës për të përmbysjen e udhëheqjes pro-kineze në Shqipëri. Duhet thënë se një operacion i tillë u planifikua në vitet 1961-196. Por edhe Perëndimit nuk i interesonte përfshirja e drejtpërdrejtë në këto ngjarje. Dhe, për më tepër – në njëfarë reagimi me hyrje të mundshme të trupave të BS-së në Bullgari. Një faktor tjetër i rëndësishëm është se nga viti 1965 shërbimet sekrete perëndimore u bënë gjithnjë e më aktive në Çekosllovaki. Ngjarjet e mëvonshme treguan se në Perëndim Çekosllovakia preferohej më shumë se Bullgaria. Pra, rrjedhja e informacionit për komplotin dhe për skenarin e tij konkret, mes të tjerash edhe në Moskë, mund të ndodhte plotësisht, në të njëjtën kohë nga burime të ndryshme. Si konfirmim i këtij versioni mund të shërbejë edhe fakti se qysh në fund të vitit 1963 në Bullgari filloi survejimi i shumë pjesëmarrësve në komplotin e ardhshëm. Në fillim të shkurtit 1965 është dërguar informacion konkret shërbimet sekrete bullgare për "teknologjinë" e tij. Me këtë rast konspiracioni i komplotistëve dukej kaq primitiv, saqë vet Zhivkov-i urdhëroi që kundëroperacioni të quhej “Duraki” (Budallenjtë).

Dënimet dhe rehabilitimet

Më 28 mars filluan arrestimet e komplotistëve. Më 8 prill u arrestua Anev-i dhe në të njëjtën ditë kreu i komplotit Todorov-Gorujan vrau veten. Nga mesi i prillit u arrestuan pothuajse të gjitha pjesëmarrësit e këtij grushti shteti të realizuar. Por Zhivkov-i nuk vendosi të aplikohej dënimi me vdekje. Në fund të prillit të vitit 1965 dënimi më i rëndë – 15 vjet burg – iu dha Ivan Velçev-it. Ermenov u dënua me 10 vjet; Anev-i, Krastev-i dhe Dinov-i – me nga 8 vjet. 189 funksionarë partie u përjashtuan nga partia komuniste bullgare; 250 oficerë të ushtrisë dhe të MPB-së u liruan apo u ulën në mënyrë të konsiderueshme në gradë. Gjyq të hapur ndaj komplotistëve madje nuk u planifikua. Bullgaria mbeti në rolin e një aleati të besueshëm të Bashkimit Sovjetik. Por më 15 qershor 1990 Kolegji Ushtarak i Gjykatës së Lartë të Bullgarisë rehabilitoi të gjithë të dënuarit në çështjen e komplotit “antizhivkovist”, meqenëse veprimet e tyre u konsideruan si “shoqërisht të domosdoshme” dhe synonin “përmbysjen e regjimit diktatorial”.

/th. m. portali DurresLajm/