Nga BUJAR QESJA

Vjen e më takon në këtë të mërkurë të 17 qershorit 2020, një nga gjigandët e notit durrsak, mjeshtri i merituar i sportit Niko Korani. Me lot në sy, ai nxjerr nga çanta e tij një foto, ku janë disa notarë të Lokomotivës së Durrësit.

– Vështro Bujar, më tha mjeshtri Kurani. Po të tregoj një foto të rrallë, ku është edhe Molotov Zeqo, miku, shoku dhe durrsaku ynë i paharruar. E kam dashur shumë. Ishte një delfinist i lindur.

Është një foto, që është fiksuar në verën e vitit 1965, në kampionatin kombëtar zhvilluar në Sarandë.

I kërkoj të falur disa notarëve që nuk i njoh nga foto, por shpejtësia e publikimit, nuk më pret të deshifroj emrat e tyre.

Tovi ynë, në këtë pamje ka qenë vetëm 16 vjeç dhe ushtronte stilin e vështirë të delfinit. Edhe këtu Tovi, mbetet shkëlqimi i notit. Histori e vlefshme. Histori e rrallë i një njeriu të mirë, i djalit të shkëlqyer, i një durrsaku të madh dhe shumë të mënçur Molotov Zeqo.

Edhe njëherë vëllai im MOLOTOV ZEQO, qofsh i xhenetit dhe u prefsh në parajsën e përjetshme!