Ka vijuar sërish aksioni kundër informalitetit dhe lidhjeve të paligjshme në rrjetin e ujësjellësit të Fierit.

Agjencia Kombëtare e Ujësjellës Kanalizimeve dhe Infrastrukturës së Mbetjeve bëri të ditur se ekipet vijojnë punën në terren për evidentimin dhe verifikimin e të gjitha rasteve të lidhjeve të paligjshme.

“Fokusi ynë mbetet përmirësimi i shërbimit për të gjithë abonentët”, thuhet në njoftimin për shtyp.

Në kuadër të aksionit kundër informalitetit dhe lidhjeve të paligjshme në rrjetin e ujësjellësit, në gjithë vendin janë në terren 60 grupe pune.

Qëllimi kryesor është ligjshmëria e furnizimit të subjekteve me ujë dhe kontrolli i planeve të tyre tarifore.

Në fokus janë kryesisht bizneset në zonat turistike. Aksioni po kryhet në bashkëpunim me forcat e Policisë së Shtetit.