DURRES, 07 mars 2013– Erdhi përsësi e para festë e pranverës “7 Marsi”, festa e shkollës, por që brezat në vite i kanë dhënë të drejtën e qytetarisë dhe ne sot e quajmë festa e “Mësuesit”. Kudo nëpër shkolla nxënësit organizojnë veprimtari artistike për nder të mësuesve të tyre. U dhurojnë lule dhe buzëqeshje. Këndojnë edhe këngë e recitojnë poezi nga më të bukurat. Mësuesët ndjehen shpirtërisht të lumtur në këtë ditë.

Po vlerësohen nga nxënësit e tyre. “7 Marsi” i këtij viti është disi më ndryshe, pasi festohet pak muaj pas 100-vjetorit të shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë dhe pesëvjetorit të pavarësisë së Kosovës që porsa kaluam. Është ditë e shënuar që e meriton një veprimtari madhështore, pasi është lulja e parë në pranverën e përpjekjeve për gjuhë, shkollë e pavarësi kombëtare.

Çdo datë dhe festë përkujtimore, secila në vetvete ka vlerën dhe rëndsinë e saj, pasi shënojnë pika kulmore në jetën dhe historinë e kombit. E tillë është edhe “Dita e Mësuesit”, pavarësisht se qendron e heshtur si “Manushaqja” e Naimit dhe nuk bën zhurmë e bujë, por është e para që për krah shpatës e pushkës vuri penën dhe librin, hapi rrugën e diturisë, ndriçimit të mendjes dhe rritjes së ndërgjegjes kombëtare, si formë e re e luftës për liri.

E, në krye të përpjekjeve për përhapjen e diturisë e mendimit shqiptar, ishin mësuesit, këta “misionarë” dhe “shenjtorë” të arsimit shqip. A nuk e meritojnë të quhen të tillë ? Është pyetje që e gjen përgjigjen lehtë, mjafton t’ i kujtojmë vetes disa gjëra pak më të thjeshta. A do të kishte pavarësi pa gjuhën e shkruar, të cilën rilindasit tanë të ndritur e vlerësuan si elementin më themelor të një kombi, duke bërë thirrjen: “Me pushkë e penë për mëmëdhenë”.

Po armiqtë tanë të afërt e të largët, fqinjët e babëzitur, pse luftuan aq shumë për ta ndaluar shkollën dhe arsimin shqip, duke mos lënë mjet pa përdorur, duke filluar që nga burgu, e për të vazhduar te helmi, thika e deri te djegja së gjalli. Nuk di, a ka në botë histori më të lavdishme dhe njëherazi tragjike, se përpjekjet e shqiptarëve për mësimin e gjuhës shqipe?!

Ç’të ishte vallë djegja e arkivave shekullore të manastirit të ShënNaumit, rreth viteve 1851. Po helmimi i Naum Veqilharxhit, babait të abetares së parë shqipe, pak vite pas daljes së saj në dritë. Si mund të përfytyrohet qendrimi dhe akti heroik i Petro Nini Luarasit, kur në çastet e fundit tha:

“Vramëni, po gjakun ma mblidhni e me të shkruani gjuhën shqipe”. U dogj në turrën e druve Xhiordano Bruno, për të mbrojtur bindjet e tij shkencore, duke u bërë simboli dhe heroi i shkencës për mbarë njerzimin. Vallë ç’ bëri më pak Gjok Shqiptari që u dogj i gjallë, sepse në gji mbante libra të shkruara shqip. A nuk është edhe për ne simbol i shkollës dhe arsimit shqip ?

Vitet kalojnë, po vepra e tyre në shërbim të gjuhës dhe kombit është hyjnore, na frymëzon dhe na bën të mburremi e të jemi të vetëdijshëm për t’ i vlerësuar e nderuar. Ç’ bënë më shumë misionarët e përhapjes së krishtërimit dhe besimit te zoti ? S’ besoj se mësuesit tanë, këta “apostuj” të shkollës dhe arsimit shqip, e patën më të lehtë, nuk u penguan, apo u lodhën më pak dhe nuk u sakrifikuan në emër të gjuhës dhe ndjenjës së shqiptarizmës.

Historia jonë tragjike e ndarjes së kombit, na e la plagën e hapur. Gati ¾ e teritoreve të banuara nga shqiptarët u lanë jashtë kufijëve shetëror. Përsëri pushka dhe pena mbetën pranë e pranë. A nuk është e madhërishme puna e mësuesëve në Kosovë, për gati 100 vjet nën sundimin serb ? E dinë ata se ç’ kanë hequr në përpjekejet për të mësuar e përhapur gjuhën shqipe, duke ushqye e mbajtur gjallë frymën e lirisë. Edhe ata janë heronj, që meritojnë vlerësim dhe nderim, mbase edhe më shumë. Pse jo, edhe përmendore në sheshet më të bukur të qyteteve.

Shumë vite kanë kaluar që nga dita e parë e hapjes në Korçë të shkollës së parë shqipe më 1887, pak vite pas Lidhjes Shqiptare të Prizërenit. Luftë e përpjekje të pandara për gjuhë e flamur. Dikur për ta filluar, përhapur e mbrojtur shkollën shqipe, sot për ta bërë mbarë kombëtare, për të gjithë shqiptarët kudo që janë, në trevat shqipatre dhe në diasporë.

Përsëri punë e jashtëzakonëshme për reformimin e arsimit kombëtar, për lartësimin e mendimit pedagogjik shqiptar, për mësimin dhe edukimin e brezave të rinj si qytetarë të mirë e të ditur. E, në ballë si gjithënjë janë mësuesit, punëtorë të mençur e fisnik të mendjes e shpirtit, që meritojnë vlerësim dhe nderim, jo vetëm nga fëmijët dhe nxënësit, por nga e gjithë shoqëria dhe e thënë sinqerisht, jo vetëm me fjalë.

Njerëzit e mësuar e të ditur, gjuhëtarët, letrarët, shkencëtarët, artistët, sportistët, gjeneralët, deputetët e pushtetarët, të gjithë janë ulur në bangat e shkollës dhe kanë dëgjuar mësimet dhe këshillat e urta të mësuesve. Në çdo sukses të tyre, ju o mësues, kini lënë edhe një pjesë të shpirtit tuaj pa kërkuar shpërblim, ndaj bashkë me gëzimin dhe respektin e tyre, pranoni urimin: Gëzuar festën të nderuar mësues edhe për mijra vite të tjerë!

/Kadri Tarelli, kombetare.al/