Qytetit të Durrësit do t’i shtohen në ditët në vijim 700 kazanë plastikë, të cilët kanë kushtuar rreth 29 milionë lekë të rinj.

Shpërndarja e tyre do të bëhet në zonën A dhe B të qytetit bregdetar. 300 kazanët e parë u vendosën në Durrës nëntorin e vitit të kaluar, por qytetarët thuajse nuk kanë aspak dijeni për ndarjen e mbetjeve që në burim.
“Ne akoma i hedhim mbeturinat nga kati i 12-të. Nuk po mësohemi t’i fusim nëpër qese, por edhe kur i hedhim mbetjet, ato hidhen pa i ndarë në karton, plastikë etj”,– thotë një qytetar.
Procesi i diferencimit të mbetjeve në Durrës deri më tani është i dështuar dhe duket se situata nuk do të ndryshojë edhe me vendosjen e kazanëve të rinj.
Nga vëzhgimi që “DurrësLajm” bëri paraditen e sotme, situata është e njëjtë në të gjitha venddepozitimet e mbetjeve nëpër lagjet qendrore të qytetit.

Ndërgjegjësimi qytetar mungon, por nga ana tjetër, pavarësisht nismës së ndërmarrë deri më tani nga bashkia, Ndërmarrja e Shërbimit Komunal Durrës nuk i tërheq mbetjet në mënyrë të diferencuar.


Që 700 kazanët e rinj plastikë të mos kenë vetëm funksion dekorues, por të jenë edhe funksional, nevojitet një fushatë sensibilizimi masiv e popullsisë.
“Kanë vënë kazanët me ngjyra, kanë bërë një ndryshim të paktën se ka qenë shumë keq, tani ka marrë formë. Por duhet të punohet për ndërgjegjësimin, sepse e kanë lënë pas dore”.
“Nuk është bërë edukatë akoma për njerëzit këtu tek ne, në Shqipëri. Jashtë është bërë edukatë, këtu akoma”,– thonë qytetarët.
Bashkia synon që ndarjen e mbeturinave në burim ta shtrijë në të gjithë Durrësin përgjatë këtij viti. Muajt në vazhdim do të jenë testi provë nëse ky proces do realizohet konkretisht apo qyteti bregdetar do ketë thjesht 1000 kazanë plastikë 3 ngjyrësh.
M.B.





