Prej rreth një jave, në zonën A të Durrësit dhe në lagjen nr.13 janë vendosur 300 kazanë plastikë për diferencimin e mbetjeve urbane që në burim.  Në këtë mënyrë, qyteti bregdetar nis aplikimin e projektit, që konsiston në ndarjen e mbeturinave urbane nga ana e vetë qytetarëve dhe bizneseve, si dhe rivënien në funksion të materialeve të riciklueshme si letër, karton, plastikë etj.

“Bashkia Durrës, për vitin 2022, ka bërë një procedurë tenderimi me anë të së cilës janë blerë 300 kazanë plastikë për mbeturina urbane, 190 kazanë metalikë dhe 260 kosha të vegjël që do të vendosen në trotuaret e rrugëve kryesore të qytetit”.

Ndërgjegjesimi i qytetarëve durrsakë në këto ditë të para nuk ka qenë në nivelin e duhur, prandaj nëndrejtori i Ndërmarrjes së Shërbimit Komunal, Soren Dedja apelon për një sensibilizim më të madh të popullatës, duke i ndarë mbetjet sipas kazanëve respektivë, plastikë/metale, letër dhe mbeturina organike.

“Gjatë këtyre ditëve të para, ndërgjegjësimi i qytetarëve ka qenë shumë i ulët. Ne i bëjmë thirrje të gjithë qytetarëve, sidomos bizneseve që këtë ndarje ta bëjnë që në vendin e punës dhe më pas t’i depozitojnë në kontenitorët përkatës.”,- thotë Dedja për “DurrësLajm”.

Por si duhet realizuar kjo ndarje?

Kazanët me ngjyrë jeshile janë për mbeturinat shtëpiake, pra mbetjet organike, kazanët ngjyrë blu për plastikën dhe metalet, ndërsa kazanët ngjyrë të verdhë për letrat dhe kartonët.

Zëvendësimi i kazanëve metalikë me ato plastikë krijon mundësinë që në ditët në vazhdim, këto të fundit të spostohen në zonat periferike, ku vihet re mungesë ose pamjaftueshmëri e tyre.

Ato do të nisin të vendosen në zonën e ish-Kënetës, por edhe në njësitë administrative.

Mbajtja pastër e qytetit është një ndër prioritetet e bashkisë Durrës. Përgjatë këtij viti, flotës së mjeteve të pastrimit të NSHK-së dhe Komunales së plazhit i janë shtuar 7 automjete autoagregate të standartit Euro 5, ndërsa në dhjetor priten të tjera pajisje.

“Gjatë muajit dhjetor pritet të vijnë mjete të reja teknologjike siç janë autofshesat larëse për rrugët e qytetit dhe trotuaret, si dhe mjete të tjera të tipit kamionçinë dhe kamionë për nevojat e ndërmarrjeve përkatëse”,- bën të ditur Dedja.

Përgjatë vitit 2023, projekti i bashkisë për ndarjen e mbeturinave në burim pritet të shtrihet në të gjithë Durrësin. Kazanët plastikë do të zëvendësojnë ato metalikë, ndërsa ndarja e diferencuar e mbetjeve do të bëhet në çdo cep të qytetit.

M.B.