Përmes një postimi në rrjete sociale, kreu i degës lokale të PD Durrës, Adrian Gashi, ka reaguar duke treguar dy realitete që sipas tij ekzistojnë në qytetin bregdetar.

Nga njëra anë janë aktivitetet e shumta kulturore që qendër të Durrësit dhe në anën tjetër qëndron realiteti i lagjeve periferike të qytetit.

“Ndërkohë që Bashkia Durrës është e zënë me festa në qendër të qytetit dhe postime të kuruara me detin e perëndimin e diellit, që nuk janë sukses i qeverisjes, por dhuratë e Zotit, fare pak larg qendrës së qytetit ky është realiteti ku jetojnë çdo ditë banorët e Lagjes 15.

Pas vitesh qeverisjeje, Durrësi vazhdon të trajtohet sikur mbaron në qendër të qytetit. Edhe ato pak “investime”, që shpesh ngrenë pikëpyetje për cilësinë, mënyrën si realizohen dhe sa i shërbejnë realisht qytetarëve, përqendrohen në qendër të qytetit, ndërsa lagjet periferike dhe fshatrat janë lënë në harresë”,- shkruan Gashi.

Duke u ndalur tek problematikat e banorëve të lagjes nr.15, e njohur si zona e Spitallës, Gashi thotë se ndërsa qytetarët përballen me përmbytje sapo bie pak shi, me rrugë që prishen pa u mbushur viti që janë shtruar, me mungesa kënde lojërash apo hapësirash të gjelbëra, bashkia hesht dhe nuk ofron zgjidhje konkrete për hallet e tyre.

“Në lagjen 15, rreth 400 familje përballen çdo ditë me mbeturina dhe inerte, kanale të bllokuara dhe një sistem të ujërave të bardha që nuk funksionon. Mjafton pak shi dhe shtëpitë përmbyten, ndërsa ujërat e zeza dhe fekalet u hyjnë brenda banesave. Punimet për kolektorin kanë mbetur përgjysmë prej rreth një viti e gjysmë dhe askush nuk mban përgjegjësi.

Fëmijët këtu nuk kanë një kënd lojërash apo një hapësirë sportive. Luajnë mes inerteve dhe mbeturinave. Rruga e asfaltuar është dëmtuar pa kaluar ende një vit. Banorët kanë bërë kërkesa, kanë ngritur zërin, kanë protestuar, por përgjigjja e Bashkisë vazhdon të jetë heshtja”,– shkruan kreu i degës lokale të PD-së.

Duke u ndalur tek fakti që prej 25 vitesh, qyteti bregdetar qeveriset nga kryebashkiakë të Partisë Socialiste, Gashi thotë se Durrësi nuk është vetëm qendra apo imazhet e kuruara që publikohen në rrjete sociale, por bashkia është shumë më e gjerë sesa aq dhe qytetarët nuk kërkojnë luks, por shërbimet bazike për të cilat paguajnë taksat.

“Durrësi dhe durrsakët nuk kërkojnë luks. Kërkojnë atë që u takon, kanalizime që funksionojnë, rrugë që nuk prishen brenda vitit, një lagje të pastër dhe një vend të sigurt ku të luajnë fëmijët e tyre.

Durrësi nuk është fasada që na serviret çdo ditë në rrjetet sociale. Durrësi janë edhe qytetarët që jetojnë përtej qendrës. Dhe pas kaq shumë vitesh pushtet, për këtë realitet nuk ka më asnjë justifikim.”- e mbyll postimin e tij Gashi.