Shfuqizimi i Zonës së re për Zhvillim në bashkinë Durrës me vendim të Këshillit të Ministrave, që mban datën 30.07.2026 u përkthye si një fitore nga banorët e projektit TID Durrës, të cilët që nga shtatori i vitit të kaluar kanë zhvilluar me dhjetëra protesta për të kundërshtuar projektin, që prek pasuritë e tyre të paluajtshme.

VKM-ja e qeverisë Rama shfuqizoi një VKM të mëparshme, të miratuar në periudhën e post tërmetit të 26 nëntorit 2019. Por a nënkupton ky shfuqizim i Zonës së re për Zhvillim edhe “rrëzimin” e projektit TID Durrës?

Për të mësuar më shumë, “DurrësLajm” ju drejtua me një kërkesë për informacion bashkisë me qëllim qartësimin e procedurave ligjore dhe administrative, që po kryhen aktualisht nga Ministria e Kulturës dhe institucionet e tjera të përfshira në këtë projekt.

Nga përgjigja zyrtare mësojmë se projekti që konsiderohet me rëndësi të veçantë për zhvillimin e trashëgimisë kulturore, turizmit, përmirësimin e hapësirave publike dhe ruajtjen e vlerave të zonave arkeologjike të Durrësit është në proces rishikimi dhe vlerësimi.

“Aktualisht, në kuadër të procesit të rishikimit dhe vlerësimit të projektit, po verifikohet gjithashtu nëse brenda zonës së ndërhyrjes ndodhen monumente kulture apo pasuri të tjera kulturore që gëzojnë status mbrojtjeje. Për këtë qëllim, është ngritur një grup ndërinstitucional, nga i cili pritet informacioni dhe vlerësimi përkatës lidhur me monumentet historike, pasuritë kulturore dhe elementët e trashëgimisë kulturore që mund të ndodhen brenda zonës së ndërhyrjes.

Gjithashtu, në kuadër të këtij procesi janë zhvilluar takime në nivel institucional, përfshirë takime me Kryeministrin, si dhe janë marrë në konsideratë kërkesat dhe shqetësimet e shprehura nga qytetarët, me qëllim që këto elemente të reflektohen në vlerësimin e mëtejshëm të projektit. Për çdo rast të evidentuar, ndërhyrjet do të trajtohen në përputhje me situatën aktuale urbanistike, juridike dhe faktike të zonës, legjislacionin në fuqi për trashëgiminë kulturore dhe në koordinim me institucionet përgjegjëse”,– thuhet në përgjigje.

Projekti TID bazohet në vendimin e qeverisë shqiptare nr.7, të datës 02.4.2024 të Agjencisë së Zhvillimit të Territorit, që ka miratuar lejen e zhvillimit për objektin: “Restaurimi dhe rikualifikimi urban i zonës  perspektive TID  të gjendur në parkun arkeologjik të Durrësit me zhvillues Bashkia Durrës”.

Shfuqizimi i Zonës së Re për Zhvillim, që përfshinte një pjesë të konsiderueshme të qytetit bregdetar, përfshirë edhe pjesë të zonës historike në qendër të Durrësit, solli si pasojë edhe shfuqizimin e Planit të Detyruar Vendor (PDyV) përkatës.

Ky ndryshim nuk e shfuqizon drejtpërdrejt projektin TID Durrës, pasi projekti nuk mbështetet juridikisht vetëm mbi këtë PDyV. Megjithatë, ai prek konkretisht një pjesë të konsiderueshme të projektit. Nga rreth 74 prona, objekte dhe troje, të parashikuara për shpronësim në kuadër të TID Durrës, afro 20 prej tyre ndodhen në zonën e prekur nga shfuqizimi i këtij plani.

Bashkia Durrës po shikon mundësinë për të hartuar dhe miratuar një Plan të Detajuar Vendor., procedurë që duhet të zhvillohet në përputhje me kërkesat e legjislacionit në fuqi dhe me përfshirjen e pronarëve dhe institucioneve vendimmarrëse përkatëse.

“Pas shfuqizimit të Planit të Detyruar Vendor, Bashkia Durrës po vlerëson mundësinë për vijimin e procedurave për hartimin dhe miratimin e një Plani të Detajuar Vendor (Plan Pikësor), në përputhje me Ligjin nr. 107/2014, VKM nr. 408/2015, Ligjin nr. 139/2015, VKM-në nr. 887, datë 24.12.2019 “Për përcaktimin e rregullave dhe të procedurës së përshpejtuar për hartimin dhe miratimin e planit të detyruar vendor, si dhe procedurës së miratimit të lejeve të zhvillimit/ndërtimit, në rastet e fatkeqësisë natyrore” i ndryshuar si dhe VKM-në nr.686, datë 22.11.2017 “Për miratimin e rregullores së planifikimit të territorit”, me qëllim zhvillimin e rregullt të territorit, respektimin e të drejtave të pronësisë dhe realizimin e objektivave të zhvillimit të qëndrueshëm”,– thuihet në përgjigjen e bashkisë.

Në këtë kontekst, përgjigjja e Bashkisë Durrës mbetet kontradiktore dhe lë të hapura disa mundësi: nga njëra anë deklarohet se puna për projektin vijon, ndërsa nga ana tjetër nuk përjashtohet as mundësia e ndryshimit apo rikonfigurimit të TID Durrës për t’iu përshtatur situatës së re të krijuar pas shfuqizimit të PDyV-së.

Në këto kushte, zbatimi i projektit TID Durrës nuk duket i afërt në kohë, por ajo që mund të thuhet aktualisht, ndërsa familjet e kësaj zone vijojnë edhe betejat ligjore në gjykatë, është se protestuesit ia arritën që përmes qëndresës të frenojnë projektin, që prekte banesat e tyre shumë vjeçare dhe i shpronësonte me vlera qesharake krahasuar me vlerat reale në tregun imobiliar.

M.B.