Mëngjesin e sotëm, në rrugë të ndryshme të qytetit bregdetar, në atë që konsiderohet qendra e qytetit (zona A) kanë nisur të vendosen tabelat informuese, që japin informacion të detajuar lidhur me parkimet me pagesë dhe mënyrën e pagesës.
Por a nënkupton kjo që nga dita e hënë e javës së ardhshme do të nisë parkimi me pagesë në rrugët që përfshihen në zonën A dhe B të qytetit?
Burime nga bashkia konfirmojnë për “DurrësLajm” se vendosja e sinjalistikës vertikale nuk nënkupton që duke nisur nga e hëna e javës së ardhshme nisin pagesat konform orëve të qëndrimit.
“Janë në fazë vendosje sinjalistike akoma. Po perfundojnë sinjalistikën horizontale, dhe po vazhdojnë me sinjalistikën vertikale”,– bëjnë të ditur të njëjtat burime.
Në fillim të verës, në akset kryesore të qytetit nisi vijëzimi përkatës për vendet e parkimit me pagesë.
Paraprakisht thuhet se në vjeshtë do të nisë të aplikohet parkimi me pagesë, kundrejt orëve të qëndrimit në akset rrugore që me vendim të Këshillit Bashkiak të dy viteve me parë u miratuan edhe tarifat respektive në rrugët dhe sheshet publike të qytetit.
Bashkia pritet të dalë me një njoftim për t’u dhënë qytetarëve informacione më të hollësishme lidhur me këtë proces.
M.B.





