Sali Berisha, kreu i PD-së, ka ngritur dyshime ditën e sotme për arsyet që çuan biznesmenin Ergys Agasi në burgun e Bradasheshit.
Sipas tij, Ergys Agasi duhet të ishte në qelitë e sigurisë së lartë, ndërkohë që është dërguar në paraburgimin e Bradasheshit, i cili, sipas Berishës, është si një seksion i Partisë Socialiste.
Në deklaratën e tij, kreu i demokratëve u ka bërë thirrje ndërkombëtarëve që nëpërmjet agjencive të zbatimit të ligjit, të angazhohen në hetimin dhe monitorimin e procesit të gjykimit të Ergys Agasit.
“Dhe e treta, tani e marrin dhe e çojnë në burgun e Bradasheshit. Hajde tani, më thoni ju mua, se a është e negociuar kjo apo jo? E çojnë në burgun që kontrollohet totalisht nga Taulant Balla, Sara Mila dhe karteli Çela. Sepse thuhet se muajin e fundit Troplinët e përzunë, i hoqën mbrojtjen. Pra, më thoni mua se çfarë janë këto? Në vend se të shkojë në qelitë e sigurisë më të lartë, të izolimit më të thellë, shkon tek Taulant Balla dhe Sara Mila. Ata e kanë burgun si repart të tyre, si seksion të PS.
Pra, të gjitha këto lënë shumë për të dyshuar. Megjithatë, duke e konsideruar një akt realisht pozitiv arrestimin e tij, iu bëj thirrje agjencive ndërkombëtare të zbatimit të ligjit të angazhohen në hetimin dhe monitorimin e këtij procesi, që është i rëndësishëm jo vetëm për Shqipërinë, por edhe për vendet partnere dhe NATO-n”, thekson Berisha.





