Më 23 shkurt, kur ende lista e PD-së ishte në fazë diskutimi, drejtuesi i qarkut Edi Paloka deklaroi në një intervistë për “DurrësLajm” se PD së bashku me aleatët synon që minimalisht në 25 prill të arrijë rezultatin 8 me 6 dhe objektivi maksimal është 9 me 5 duke llogaritur edhe një mandat të fituar nga LSI.

Tani që listat e kandidatëve për deputetë janë zyrtarizuar, po ju njohim me ekipin e opozitës, me të cilën ajo synon përmbysjen e rezultatit në Durrës, pasi 4 vite më parë arriti të marrë vetëm 4 mandate.

Lista kryesohet nga drejtuesi politik i qarkut dhe njëherazi nënkryetari i PD-së, Edi Paloka. Edhe në legjislaturën 2017-2021, Paloka ishte deputet i qarkut Durrës, por vetëm për dy vite, pasi në 2019, opozita dorëzoi mandatet dhe nisi protestat.

Në vend të dytë është kreu i Agraro Ambientalistëve, Agron Duka, i cili, pasi nuk mundi të siguronte një mandat deputeti në legjislaturën e kaluar, këtë vit synon të bëhet pjesë e parlamentit të ardhshëm. Kreu i PAA-së ishte i pari nga aleatët e Bashës që firmosi marrëveshjen me të dhe deklaroi se kishte “blinduar” vendin e dytë në listë.

Në vend të tretë renditet mësuesja Merita Bakiu, arsimtarja që prej 26 vitesh ka nxjerrë breza të tërë nxënësish në qytetin e Krujës, e tani synon një mandat deputeti. Bakiu do të ketë përballë në betejën e saj elektorale kreun e listës së PS-së, Milva Ekonomin, ministren e bujqësisë.

Vendi i katërt i është caktuar ish-deputetit Oerd Bylykbashi, i cili në zgjedhjet e vitit 2017 kryesonte listën. Një nga juristët më të mirë të PD, përfaqësues i saj në Këshillin Politik për Kodin Zgjedhor, Bylykbashi synon një tjetër mandat deputeti në Durrës.

Në vend të pestë është pozicionuar kreu aktual i demokratëve durrsakë Ferdinand Xhaferraj. Megjithëse Basha pati deklaruar vitin e kaluar, gjatë kohës kur bëhej përzgjedhja nga emrat e propozuar nga anëtarësia, se krerët e degëve duhet të jepnin dorëheqjen nëse kishin ambicie për t’u përfshirë në garën për deputet, Xhaferraj u përfshi në listën e 8 marsit. Ish-Ministri i Kulturës dhe një nga deputetët e fitores 8 me 0 në maxhoritar të vitit 2005 është pozicionuar në një vend që mund të konsiderohet i sigurt, sipas sondazheve të demokratëve.

Vendi i 6-të i shkon një vajze të re, studente e degës së Arkitekturës dhe pinjolle e një prej familjeve më të nderuara në zonën e Fushë – Krujës. Andia Ulliri do të “luftojë” për një mandat deputeti në zonën e Rrahman Rrajës, deputetit socialist, që Rama vendosi ta rikandidonte, megjithëse SPAK ka nisur një hetim pasuror ndaj tij.  

Vendi i 7-të i është rezervuar ish-deputetit dhe ish-kreut të degës lokale të PD-së Durrës, Igli Cara. Cara rikthehet në listën e PD-së, 4 vite pasi u la jashtë saj. Përfshirja e tij në listë është mirëpritur nga mbështetësit e tij të shumtë, pasi për hir të së vërtetës ish-deputeti është një nga figurat lokale të PD-së me konsensusin më të gjerë. Për herë të fundit kur PD ka siguruar mandatin e 7-të në Durrës ka qenë viti 2009. Nëse parashikimi i demokratëve për “përmbysje” rezultati në Durrës konkretizohet, atëherë edhe Cara siguron një vend deputeti.

4 vite më parë, socialistët fituan mandatin e 8-të në Durrës, duke i dhënë elektoratit të djathtë një goditje të rëndë. Këtë herë, në vend të 8-të në listën e qarkut Durrës, demokratët kanë vendosur kreun lokal të degës së Shijakut, Rezeart Tushën. Tusha do të ketë përballë tij rivalin socialist Ilir Ndraxhi, por edhe pushtetin lokal, ku për hir të së vërtetës, kryetari i bashkisë Elton Arbana e ka kthyer në “kalë beteje” Rindërtimin e qytezës së vogël, të dëmtuar rëndë nga tërmeti. Për një kohë të gjatë një bastion i PD-së, Shijaku prej vitesh voton majtas. Zgjedhjet e 2017-ës u kontestuan shumë edhe për shkak të dosjes 339 dhe fenomenit Avdylaj. 25 prilli do të tregojë nëse vota e shijaksave do të shkojë për alternativën e djathtë, apo njësoj si në vitin 2017 qyteza e vogël do të pozicionohet majtas.

M.B.