Intervistoi Mila Ballhysa

Kur na ndajnë rreth 2 muaj nga data e zgjedhjeve, 25 prilli, drejtuesi politik i qarkut Durrës, Edi Paloka, është i bindur se opozita e bashkuar do t’i fitojë ato.

“Minimalisht ne dalim me rezultatin 8 me 6 në qarkun e Durrësit. Bashkë me LSI dhe partitë e tjera të opozitës së bashkuar ne luftojmë për të marrë rezultatin 9 me 5. Padurimi për të shkuar për të votuar duket qartazi tek të gjithë. Numri i votuesve që do t’i drejtohen kutive të votimit do të jetë shumë i lartë. Mbi 80% e shqiptarëve duan ndryshimin, duan largimin e kësaj qeverie”,- thotë Paloka në një intervistë për “DurrësLajm”.

Bashkë me strukturat drejtuese të PD-së, ai ka zhvilluar me dhjetëra takime me anëtarësinë, por edhe qytetarë të zakonshëm në Durrës, Shijak, Krujë e Fushë-Krujë.

“Në secilin prej tyre kam vënë re një mllef të madh të qytetarëve”,- thotë Paloka, ndërsa thekson se largimin e kësaj qeverie nuk e kërkojnë vetëm demokratët, por edhe të majtët, edhe socialistët, të cilët sipas tij një pjesë nuk do të dalin më 25 prill të votojnë.

4 vite më parë, PD-ja regjistroi në qarkun e Durrësit rezultatin më të dobët historik, por në 2021 situata është komplet ndryshe sipas demokratëve.

Paloka pranon se krahas manipulimit të rezultatit, përfshirjes së të fortëve në proces, të faktuara nga Dosja 339, PD-ja e dalë nga çadra dhe me listat problematike të kandidatëve nuk pati kohën e mjaftueshme të bënte fushatë të mirëfilltë në vitin 2017.

“Në atë kohë mbuloja zonën e Shijakut dhe Krujës dhe pata mundësi vetëm të bëja një “shëtitje” po themi, takova strukturat dhe disa banorë”,- deklaron nënkryetari i PD-së.

I pyetur se kujt do t’i faturohet humbja, nëse PD nuk i fiton këto zgjedhje, Paloka ka një përgjigje të qartë dhe të prerë.

“Opozita humb vetëm nëse Rama i merr kutitë e votimit dhe i çon në Surrel, për t’i numëruar në bunkerin e tij. Po e lamë ta bëjë këtë, atëherë përgjegjësia është e jona”,– deklaron Paloka.

Ndërsa pikat kryesore të programit elektoral 900 faqësh i PD-së janë zbardhur thuajse të gjitha nga lideri i demokratëve, Lulzim Basha, ato që priten me kureshtje dhe padurim janë listat e kandidatëve. Paloka pranon se ende nuk ka një listë përfundimtare si për qarkun Durrës ashtu edhe në të gjithë Shqipërinë, por në tryezën e grupit të punës janë emrat që po diskutohen të jenë pjesë e listës.

80% e listës së kandidatëve do të dalë nga emrat e votuar nga anëtarësia e PD-së në muajin tetor të vitit të kaluar, ndërsa 20% do të plotësohet me figura të njohura nga bota akademike, shoqëria civile, personazhe me integritet dhe mbështetje të gjerë popullore.

“Për emrat do të vendosë kryesia e PD-së dhe Këshilli Kombëtar. Edhe unë gjatë kësaj kohe po bëj vëzhgimet e mia. Qëllimi është një: Çdo zonë, çdo qytetar në listën e PD-së duhet të gjejë përfaqësimin e tij. Qoftë qytetarët e Durrësit, Shijakut, Krujës, qoftë grupime të ndryshme nga bota e biznesit, intelektualët etj tdo ë identifikohen me të. Nuk është e lehtë të bësh një listë të mirëmenduar dhe jam i bindur edhe pasi të dali lista jo të gjithë do të jenë të kënaqur, do të kenë rezerva, sepse nuk mund të kemi një listë perfekte”,- tha Paloka.

Në intervistën e gjatë për “DurrësLajm”, të cilën mund ta ndiqni të plotë në fund të shkrimit, drejtuesi politik Edi Paloka foli edhe për pikat kryesore të programit të PD, problematikën që ekziston me mos rinovimin e kartave të identitetit për rreth 1 milion votues me të drejtë vote etj.