Ministri i Brendshëm, Besfort Lamallari, ka ndarë pamje nga kontrollet në rrugë, ku teknologjia përdoret për monitorimin e trafikut dhe identifikimin e shkelësve të rregullave të qarkullimit.
Përmes një reagimi në rrjetet sociale, Lamallari thekson se, krahas qytetarëve, teknologjia është një prej aleatëve më të rëndësishëm të Policisë së Shtetit në garantimin e sigurisë rrugore.
“Pas qytetarëve, aleati më i fortë i policisë është teknologjia”, shkruan ministri, ndërsa shton se rritja e numrit të turistëve dhe e qarkullimit të mjeteve sjell edhe një përgjegjësi më të madhe për parandalimin e aksidenteve dhe garantimin e sigurisë në rrugë.
Sipas Lamallarit, radarët, dronët dhe automjetet inteligjente mundësojnë monitorimin e vazhdueshëm të trafikut, duke identifikuar shpejtësinë, shkeljet dhe sjelljet që mund të rrezikojnë jetën e qytetarëve.
Më tej, ministri nënvizon se me zbatimin e projektit “Smart City” synohet një transformim i rëndësishëm në mënyrën e garantimit të sigurisë rrugore dhe asaj publike në Shqipëri.
“Pas qytetarëve, aleati më i fortë i policisë është teknologjia. Me rritjen e numrit të turistëve që vizitojnë vendin tonë nga viti në vit, rritet dhe qarkullimi i mjeteve dhe përgjegjësia jonë për garantimin e sigurisë rrugore dhe parandalimin e aksidenteve.
Radarët, dronët dhe makinat inteligjente janë një sy i pagabueshëm dhe i përhershëm mbi trafikun, duke identifikuar shpejtësinë, shkeljet dhe sjelljet që vënë në rrezik qytetarët. Me zbatimin e projektit #SmartCity do të bëjmë një kapërcim epokal për sigurinë rrugore dhe atë publike në tërësi në Shqipëri“, shkruan ministri.





