Kryeministri Edi Rama ka reaguar ndaj kritikëve në rrjetet sociale pas publikimit të lajmit se Shqipëria është renditur e para në indeksin global të sigurisë kibernetike. Me anë të një postimi në rrjetet sociale, Rama iu sul komentuesve, duke i quajtur si tufa sorrash e korbash që vërsulen pas çdo lajmi.

Rama thekson më tej se renditja nuk përcaktohet nga komentet në rrjetet sociale, por nga metodologjia e përdorur nga National Cyber Security Index, duke iu referuar rezultatit prej 98.33 pikësh. Rama shprehet ndër të tjera se komentuesit mund të hidhen përpjetë, por sipas tij, tabela nuk ndryshon pse ata derdhin mllef mbi pasqyrat e tyre digjitale.

Postimi i Ramës:

Një shënim i nevojshëm për urrejtësit besnikë dhe ushtrinë e tyre të trollave. Sapo postova lajmin që Shqipëria doli e para në indeksin global të sigurisë kibernetike, ata u vërsulën si tufa sorrash e korbash me turlilloj krrakrrash. Po nëse lajmi ishte “gënjeshtër”, “propagandë”, “budallallëk”, atëherë pse gjithë ai mund i madh me gurë e me baltë? Asnjë njeri normal nuk harxhon energji për të shuar një qiri të fikur. Në fakt renditjen në National Cyber Security Index nuk e bën as një sorrë, as një korb dhe as një troll.

E vendos një metodologji ndërkombëtare, me 98.33 pikë, të matura mbi kuadrin ligjor, kapacitetet institucionale dhe sistemin e parandalimit. Urrejtësit e mi besnikë mund të hidhen përpjetë, por tabela nuk ndryshon pse ata derdhin mllef e jargë mbi pasqyrat e tyre digjitale. Mund të jetë e dhimbshme të jesh troll i një shteti që del në krye të klasifikimit botëror pikërisht në aftësinë mbrojtëse nga trollimet malinje, por s’ka ilaç për dhimbjen e urrejtësve.

Kështu që vazhdoni, forca, çdo koment i juaji është një klikim më shumë, një provë më shumë, dhe një buzëqeshje më shumë për mua, në këtë ditë të bukur arritjeje fantastike. Miq dhe aleatë të vërtetë që e dinë mirë ç’është ky Index Global sot më uruan, ndërsa dështakzemërakët e Shqipërisë më sulmuan. Të dyja palët, në mënyrën e tyre konfirmuan të njëjtën gjë: Shqipëria u ngjit në majë aty ku deri jo shumë vite më parë ishte në fund. Dhe kjo u dhemb vetëm atyre që e duan medoemos në fund, e që për inat të vjehrrës u bënë rrogoz i mullixhiut.