DURRËS, 18 mars 2013 – Durrësi në vitet 1300, mbi 800 vjet më parë, kishte kolegj të lulëzuar, këtë fakt e bën publik anëtari i Shoqatës së Historianëve të Mesdheut, studiuesi dhe shkrimtari i njohur durrsak Hasan Ulqini.
Në një pozicion gjeografik të favorshëm (si pika më e afërt me Perëndimin), qyteti i Durrësit, megjithëse i përkiste Perandorisë Bizantine, ruajti dhe forcoi një autonomi të veçantë, saqë, në kronikat e kohës, flitet për dy kryeqytete: Kostandinopolin dhe Durrësin, thotë Ulqini për “Dyrrah”-un.
Ky favor kishte nisur që nga koha e sundimit të perandorit Anastas, me origjinë nga Durrësi dhe ishte forcuar me kalimin e shekujve.
Edhe më vonë, më 29 shkurt 1272, kur Karli Anzhu, i nxitur nga Papa, hodhi vështrimin drejt Lindjes, duke shpallur formimin e mbretërisë së Arbërisë (Regnum Albaniae), Durrësi u bë kryeqyteti i kësaj mbretërie, që kishte njëkohësisht, autonominë e tij të veçantë.
Princi shqiptar Karl Topia (1368) e çoi edhe më përpara këtë autonomi (duke i dhënë tiparet e një qyteti-shtet, në juridiksionin e të cilit ishin viset bregdetare), ndërsa veten e kishte shpallur “Zot të Arbërisë” (Dominus Albaniae).
Në dokumente të ndryshme të kohës flitet edhe për Statutet e qytetit, origjinalet e të cilëve ruheshin në një manastir françeskan.
Anëtari i Shoqatës së Historianëve të Mesdheut, bashkëpunëtor me disa institute italiane, Hasan Ulqini, thotë se “vetë qyteti kishte ngritur “un fiorente Collegio” – një universitet të lulëzuar dhe profesorë të këtij universiteti jepnin, herë pas here, mësime në universitetet e Padovës dhe të Bolonjës”.
Kur qyteti ra në duart e venedikasve (1392), vazhdoi të ruhej kjo autonomi dhe, nuk është e rastit, që kronistët turq, në kohën e sulmeve të ashpra për ta pushtuar këtë qytet, shkruajnë për një “Kostandinopol të dytë, me mure të larta që kishin për shok qiellin”, thotë Ulqini.
/th. m. Agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





