Endrit Rustemi është një i ri shqiptar, i cili prej vitesh jeton dhe punon në Itali. Endrit Rustemi emigroi me nënën dhe dy motrat e tij në shtetin fqinjë, kur ishte vetëm 9 vjeç dhe sot ai është 33 vjeç dhe një nga picierët më të njohur në Itali.

Sot në ditën botërore të picës, prestigjiozja italiane TGCOM 24 i kushton një artikull të veçantë picierit me origjinë shqiptare, Endrit Rustemi. Ai lindi në Fier në vitin 1991. 33-vjeçari jeton në Brescia, ku dhe është martuar dhe ka dy vajza. Por jeta nuk ka qenë e lehtë, ai në fillim u zhvendos në Milano dhe së bashku me nënën dhe dy motrat flinin në Stacionin e trenit.

Më pas, falë ndërhyrjes së shërbimeve sociale, ai shkon të jetojë në një komunitet të miturish në Brescia, ku rritet dhe edukohet deri në moshën madhore.

“Mendoj se ishte e shkruar, ishte fati im, që kur isha i vogël në Shqipëri së bashku me gjyshen time kisha dëshirë të përgatisja brumin me aq sa mundësi kishim, sepse situata ekonomike ishte tepër e vështirë. Dhe menjëherë rashë në dashuri me ato brumëra, ato aroma, të njëjtat që gjeja dhe gjej çdo ditë tek picat. Pastaj më erdhi mundësia, pas 8 vitesh në një komunitet për të mitur për të punuar në një piceri në moshën 17-vjeçare. Një përvojë profesionale që më shënoi përgjithmonë”- tregon Endriti për TGcom24.

Ai punoi për disa vite në piceri të ndryshme të Milanos derisa hapi biznesin e tij, i cili ka një sukses të madh në Brescia.