Në vreshtat e Shampanjës, puna nis me zbardhjen e ditës, shumë përpara se vapa të pushtojë kodrat.
Gërshërët presin veshat e rrushit, arkat mbushen njëra pas tjetrës dhe traktorët nisin të lëvizin mes rreshtave të hardhive.

Është koha e korrjes. Por këtë vit, ajo ka ardhur më herët se kurrë.

Në disa vreshta, rrushi është mbledhur që në ditët e para të gushtit, ndërsa sezoni zyrtar në rajonin e Shampanjës nisi më 12 gusht, sipas vendimit të Komitetit të zonës, organit që përcakton datat e vjeljes në bazë të pjekurisë së rrushit.

Një kalendar i ri pune, që tregon se sa shpejt po ndryshojnë kushtet në këtë cep të Francës.

“Na kishin paralajmëruar, e dinim se po vinte. Nuk është e papritur, por në të njëjtën kohë është shumë e habitshme, sepse po ndodh me një shpejtësi dhe intensitet të jashtëzakonshëm. Jo shumë kohë më parë, nuk do ta kishim imagjinuar kurrë që korrja të niste në javët e para të gushtit. Kemi korrur edhe më parë në gusht, por gjatë dhjetë viteve të fundit kjo po bëhet gjithnjë e më e zakonshme. Vetëm se atëherë moti mbetej i përballueshëm. Tani kemi arritur te vala e pestë e të nxehtit”, pohoi prodhuesi i verës Benoît Velut.

Për vreshtarët, kjo nuk është thjesht një datë e zhvendosur në kalendar.

Është pasojë e një vere të jashtëzakonshme, me temperatura të larta, thatësirë dhe periudha të njëpasnjëshme të të nxehtit. Dëmet kishin nisur që në pranverë, kur ngricat goditën disa zona të Shampanjës.

Tani, nxehtësia e tejzgjatur ka përshpejtuar pjekjen e rrushit dhe i ka shtyrë prodhuesit të nisin vjeljen më herët se zakonisht. Por jo çdo hardhi e ka përballuar njësoj këtë sezon. Disa prej tyre janë dukshëm më të vogla, si pasojë e mungesës së ujit.

Ndërsa në të gjithë rajonin, prodhuesit raportojnë një rënie të rendimentit.
Rreth 30 për qind e prodhimit humbi vetëm nga ngricat e pranverës, ndërsa thatësira ka shtuar më tej vështirësitë.

“Kur isha fëmijë, korrja bëhej pasi kishte filluar shkolla. Ishte java e fundit e shtatorit, madje ndonjëherë edhe në tetor, kur koha ishte më e freskët. Pastaj, gradualisht, filluam të korrnim në shtator, më pas në mesin e shtatorit, në fillim të shtatorit. Ndërsa tani, që prej viteve 2000, korrja bëhet në gusht”, tha Denis Velut, ish-prodhues vere, babai i Benoît Velut.

Nga fundi i shtatorit dhe fillimi i tetorit… te ditët e para të gushtit.

Brenda pak brezash, një nga shenjat më të rëndësishme të ciklit të vreshtit ka ndryshuar ndjeshëm.
Dhe ndryshimi nuk shihet vetëm te data.

Për të mbrojtur si njerëzit, ashtu edhe rrushin, puna tani nis që në orët e para të mëngjesit dhe ndërpritet përpara se temperaturat të arrijnë kulmin. Në këtë klimë të re, edhe vera ka ndryshuar ritëm.

“Nga ana logjistike, fillojmë në lindje të diellit. Kjo është thelbësore si për punëtorët, ashtu edhe për rrushin. Punojmë me orare më të shkurtra, në mënyrë që të mos qëndrojmë jashtë për një kohë të gjatë dhe të përballojmë vapën. Edhe pushimet e gushtit nuk ekzistojnë më për prodhuesit e verës”, u shpreh Benoît Velut.

Në këto vreshta, babai dhe djali shohin të njëjtën tokë, por punojnë sipas dy epokave të ndryshme. Denis Velut e mësoi zanatin gjysmë shekulli më parë. Benoît po e përshtat atë me një klimë që po ndryshon me shpejtësi.

“Unë nuk merrem më me vreshtat. Djali im nuk i kultivon në mënyrën që mësova unë 50 vjet më parë. Kjo është e qartë. Por kjo është edhe pjesë e zhvillimit të kërkimit dhe teknikave bujqësore, si edhe e ndryshimit të klimës, që tashmë është bërë shumë, shumë i shpejtë”, pohoi Denis Velut.

Por prodhuesit e Shampanjës nuk duan vetëm të përballojnë këtë sezon. Ata po mendojnë se si kjo industri mund të vazhdojë të ekzistojë edhe në një klimë që nuk i ngjan më asaj të së shkuarës.

Në Épernay, një nga qendrat kryesore të rajonit, Komiteti i Shampanjës po kërkon mënyra të reja për t’u përshtatur. Po studiohen varietete të reja rrushi, që çelin më vonë, piqen më ngadalë ose kërkojnë më pak ujë. Ndërkohë, po ndryshojnë edhe praktikat e kultivimit të vreshtave.

“Ambicia jonë sot është që rajoni i Shampanjës të vazhdojë të prodhojë verë. Prandaj po kërkojmë zgjidhje. Po krijojmë varietete të reja që ndihmojnë në shmangien e stresit nga mungesa e ujit ose nga ngricat, varietete që çelin dhe piqen më vonë dhe kërkojnë më pak ujë. Po ndryshojmë edhe mënyrat e kultivimit. Po i kushtojmë shumë kohë mënyrës se si mund të vazhdojmë të prodhojmë në një klimë që po ndryshon”, deklaroi Maxime Toubart, bashkëpresident i Komitetit të Shampanjës.

Por kjo përshtatje ngre një pyetje më të thellë: A do të mbetet e njëjtë Shampanja, nëse ndryshojnë kushtet që i japin asaj karakterin?

Prodhuesit përpiqen të ruajnë cilësinë, freskinë dhe aciditetin që dallojnë këtë verë të famshme.
Por temperaturat më të larta mund të ndikojnë edhe në ekuilibrin e saj, në aromat dhe në profilin e shijes.
Pra, sfida nuk është vetëm të prodhohet më shumë. Është të ruhet ajo që e ka bërë Shampanjën të tillë ndër breza.

Këtë vit, kur rrushi është më i pakët, prodhuesit mund të mbështeten edhe te rezervat e krijuara nga korrjet e mëparshme. Verërat e ruajtura prej vitesh mund të rikthehen, duke ndihmuar në zbutjen e rënies së sasisë.
Një zgjidhje për një sezon të vështirë, por jo domosdoshmërisht për një të ardhme që premton të jetë më e nxehtë.

Shampanja ka kaluar kriza të shumta gjatë historisë së saj dhe industria beson se do të gjejë edhe këtë herë një mënyrë për t’u përshtatur, por për vreshtarët, përshtatja nuk është më një zgjedhje. Është bërë domosdoshmëri.

“Shampanja ka arritur t’u mbijetojë jo pak krizave falë strukturës në burime njerëzore, organizimit të përbashkët dhe sindikatave. Çdo ditë duhet të pyesim veten për mënyrën si jemi organizuar, si menaxhojmë fuqinë punëtore, oraret dhe vreshtat. Vreshti është këtu dhe do të jetojë më gjatë se ne. Prandaj jemi ne ata që duhet të përshtatemi”, u shpreh Benoît Velut.

Por ka edhe një hap tjetër në këtë histori. T’u shpjegosh konsumatorëve se ajo që njohin si shampanjë mund të ndryshojë pak nga ajo që kanë njohur deri më sot.

“Ndoshta, pak nga pak, duhet t’i mësojmë edhe konsumatorët të pranojnë se do të ketë një periudhë tranzicioni dhe se profili i Shampanjës mund të ndryshojë disi”, vijoi Benoît Velut.

Ndërsa dielli ngrihet mbi vreshtat e Montgueux, puna vazhdon. Gërshërët presin veshat e fundit të rrushit.
Arkat mbushen. Traktorët largohen nga vreshtat. Një korrje tjetër po hyn në histori.

Por këtë herë, ajo nuk tregon vetëm për një prodhim të hershëm, tregon për një klimë që po ndryshon dhe për një traditë që po detyrohet të ndryshojë bashkë me të. Sepse dikur, në Shampanjë, vjelja pritej pas fillimit të vitit shkollor, ndërsa sot, rrushi mblidhet nën diellin e gushtit.

Dhe ndoshta, në vitet që vijnë, ndryshimi nuk do të matet vetëm me ditën kur nis korrja, por edhe me shijen që do të ketë Shampanja e së ardhmes.