Një 22-vjeçar nga Singapori, Malone Lam, është deklaruar fajtor në Shtetet e Bashkuara për akuzën e komplotit kriminal të lidhur me një nga grabitjet më të mëdha të kriptomonedhave të regjistruara ndonjëherë.

Lam pranoi se kishte bashkëpunuar me persona të tjerë për të vjedhur rreth 245 milionë dollarë në bitcoin dhe më pas për të pastruar paratë e përfituara nga krimi.

Sipas Departamentit Amerikan të Drejtësisë, Lam konsiderohej si drejtuesi i grupit kriminal. Ai dhe bashkëpunëtorët e tij përdornin identitete të ndryshme në internet, përfshirë emrat “Anne Hathauay”, “$$$” dhe “King Greavy”.

Prokurorët amerikanë thanë se grupi i mashtronte viktimat për t’u marrë informacione konfidenciale që u mundësonin të hynin në llogaritë e tyre të kriptomonedhave. Në disa raste, anëtarët e grupit dyshohet se kryenin edhe hyrje me forcë në banesat e viktimave për të siguruar të dhënat që u nevojiteshin për të vjedhur asetet digjitale.

Komploti kishte nisur jo më vonë se tetori i vitit 2023 dhe vazhdoi të paktën deri në maj të vitit 2025. Bashkëpunëtorët e Lam ishin nga Kalifornia, Connecticut, Nju Jorku, Florida dhe vende të tjera jashtë SHBA-ve. Ata ishin njohur përmes platformave të lojërave online.

Pas grabitjeve, paratë u përdorën për një stil jetese luksoz. Sipas autoriteteve amerikane, të dyshuarit shpenzonin deri në 500 mijë dollarë për një vizitë në klubet e natës, ndërsa blenë edhe një flotë makinash ekzotike me vlerë nga 100 mijë deri në 3.8 milionë dollarë secila.

Pjesë e parave u përdorën gjithashtu për të blerë çanta luksoze , me vlerë dhjetëra mijëra dollarë, të cilat më pas hidheshin drejt turmave gjatë festave në klubet e natës.

Autoritetet thanë se grupi shpenzoi gjithashtu qindra mijëra dollarë për orë luksoze, veshje të shtrenjta, shtëpi me qira në Los Angeles, Hamptons dhe Miami, udhëtime me avionë privatë dhe shërbime të sigurisë private.

Lam u tha hetuesve se kishte braktisur shkollën e mesme në Singapor në moshën 14-vjeçare. Ai udhëtoi drejt SHBA-ve në tetor 2023 dhe qëndroi në Amerikë, edhe pasi viza e tij skadoi në janar 2024.

Për akuzën e komplotit për shantazh dhe krim të organizuar, Lam përballet me një dënim maksimal prej 20 vitesh burgim. Gjykatësja federale Colleen Kollar-Kotelly nuk ka caktuar ende datën e seancës së dënimit.

Prokurorja amerikane Jeanine Pirro tha se autoritetet do të vazhdojnë të ndjekin grupet kriminale që përdorin teknologjinë për të vjedhur kriptomonedha, duke paralajmëruar se hetuesit do t’i gjejnë dhe do t’i çmontojnë këto rrjete kriminale.