Nëse blini shpesh libra të përdorur, ndoshta nuk ju ka shkuar kurrë mendja që para se t’i vendosni në bibliotekë, mund të përfundojnë në ngrirje. Tingëllon e çuditshme, por kjo praktikë përdoret për një arsye konkrete: për të ndihmuar në eliminimin e insekteve, vezëve të tyre dhe për të frenuar përhapjen e mykut.

Librat e vjetër mund të kenë të ashtuquajturit “morrat e librave”, insekte shumë të vogla që ushqehen me myk dhe materiale organike në libra. Sipas Better Homes & Gardens, ngrirja e librit për të paktën 48 orë, brenda një qeseje plastike të mbyllur mirë, mund të ndihmojë në vrasjen e insekteve.

Arsyeja është se temperaturat shumë të ulëta krijojnë kristale akulli brenda qelizave të insekteve, duke i dëmtuar ato. Kjo metodë nuk përdor kimikate dhe është aq e njohur sa teknika të ngjashme përdoren edhe nga muze dhe arkiva për dokumente të vjetra apo libra të rrallë.

Por ngrirja mund të ndihmojë edhe në një problem tjetër: mykun. Sporet e mykut bëhen joaktive në temperatura nën zero dhe procesi i përhapjes së tij ngadalësohet. Librat janë të ndjeshëm ndaj mykut sepse letra është poroze dhe materialet e lidhjes mund të mbajnë lagështi.

Shenjat që një libër mund të ketë myk përfshijnë erë të rëndë ose lagështie, njolla të zeza, të bardha, jeshile apo portokalli, pjesë të buta ose me push në kopertinë dhe faqe të deformuara nga lagështia.

Ja si duhet të veproni: Libri duhet futur në një qese me mbyllje hermetike, për të shmangur hyrjen e lagështisë dhe për të mbajtur gjithçka të izoluar. Më pas vendoset në ngrirje për të paktën 48 orë, idealisht edhe më gjatë. Kur nxirret, duhet lënë të arrijë gradualisht temperaturën e ambientit ndërsa është ende i mbyllur në qese, në mënyrë që të shmanget kondensimi.

Pra, herën tjetër që gjeni një libër të bukur të përdorur, ndoshta hapi i parë nuk është rafti i bibliotekës, por frigoriferi.