Një burrë italian i habiti të gjithë teksa u rikthye në atdhe nga Shtetet e Bashkuara, pasi në bagazh iu gjet koka e një krokodili të rrallë, një specie në rrezik zhdukjeje. Ai kishte mbërritur në Torino me një fluturim nga Miami, përmes Stambollit, bëri të ditur njësia e Torinos e policisë financiare italiane në një deklaratë.

Koka e zvarranikut ishte mbështjellë me letër të trashë ngjyrë kafe, në përpjekje për ta fshehur nga kontrollet e sigurisë dhe doganat.

Ajo u sekuestrua menjëherë nga autoritetet kufitare, ndërsa pasagjeri, i cili raportohet se po kthehej nga pushimet, u vu nën hetim me dyshimin për kontrabandë të një ekzemplari që i përket një specieje të mbrojtur.

Krokodilët mbrohen nga Konventa e Uashingtonit, një marrëveshje globale e nënshkruar në vitin 1973 për të mbrojtur bimët dhe kafshët e rrezikuara nga rreziku i tregtisë ndërkombëtare.

Nëse shpallet fajtor, burri përballet me një gjobë nga 20 deri në 200 mijë euro, ose me një dënim me burg nga gjashtë muaj deri në një vit.

Policia tha se operacioni në Torino ishte pjesë e një aksioni më të gjerë në Itali kundër tregtisë së paligjshme të kafshëve të egra. “Sendi u sekuestrua sepse ishte importuar pa certifikatën ose licencën e kërkuar”, thanë autoritetet.

Italia është një qendër e rëndësishme transiti për tregtinë e paligjshme të kafshëve ekzotike, pjesa më e madhe e së cilës lidhet me krimin e organizuar.