Presidenti amerikan Donald Trump dhe presidenti rus Vladimir Putin kanë zhvilluar një bisedë telefonike pas vizitave të ndërmjetësve amerikanë në Kiev dhe Moskë, në kuadër të përpjekjeve për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë, bëri të ditur sot Kremlini.

Këshilltari për politikën e jashtme, Yuri Ushakov, tha se presidenti Putin e kishte siguruar  homologun amerikan  se Rusia nuk ka “plane agresive” ndaj Evropës.

Deklarata vjen në një periudhë tensionesh të larta mes Moskës dhe vendeve evropiane për shkak të luftës në Ukrainë.

Sipas Ushakov, Putin i bëri presidentit amerikan një analizë që ai e përshkroi si “objektive dhe të detajuar” mbi zhvillimet në fushën e betejës.

Presidenti rus gjithashtu i shpjegoi Trumpit se çfarë mund të bëjë realisht Shtetet e Bashkuara të Amerikës për të ndihmuar në një përfundim të shpejtë të luftimeve.

Nga ana tjetër, presidenti Trump la të hapur mundësinë për një rivendosje të plotë të marrëdhënieve mes Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Rusisë, nëse lufta në Ukrainë përfundon.

Sipas versionit të Kremlinit, kjo ishte një prej temave të rëndësishme të bisedës.

Dy presidentët diskutuan gjithashtu mundësinë e shkëmbimeve të tjera të të burgosurve mes Rusisë dhe Ukrainës.

“Biseda telefonike zgjati rreth një orë”, tha Ushakov.