Këngëtari Labinot Rexha ka rrëfyer detaje të reja për incidentin e ndodhur në Rahovec, ku pretendon se është sulmuar fizikisht bashkë me disa anëtarë të familjes së tij.
Në një lidhje telefonike për “Prive By Liberta Spahiu”, Rexha tha se ngjarja lidhet me një kontest pronësor për 16 metra katrorë me fqinjët, mosmarrëveshje që, sipas tij, daton që para luftës.
Ai pretendoi se situata u përshkallëzua gjatë përpjekjes për të zgjidhur çështjen dhe se më pas u godit dhe u fyen rëndë.
“Mora një goditje, një boks… edhe fyerje, sharje më brutale, më të këqija që kurrë në jetën time dikush nuk më ka sharë, nuk më ka fyer”, rrëfeu këngëtari.
Rexha pretendoi gjithashtu se gjatë incidentit janë sulmuar edhe nëna dhe mbesa e tij, ndërsa kërkoi që rasti të trajtohet nga organet e drejtësisë.
“Nëna ime është sulmuar sot nga tre persona dhe dy gra… I pres nga prokuroria që ata mos t’i lirojnë, sepse është sulmuar dhe vajza e xhaxhait tim”, deklaroi ai.
Deri tani, pala tjetër nuk ka reaguar publikisht ndaj këtyre pretendimeve.





