Rikthimi i Princit Harry dhe Meghan Markle në Britani nuk nënkupton rikthimin e tyre në detyrat zyrtare mbretërore, bën të ditur BBC. Një letër e dërguar në emër të Mbretit Charles e bën të qartë se çifti do të vazhdojë të konsiderohet “qytetar privat” dhe nuk do të përfaqësojë Familjen Mbretërore në aktivitetet e tij.
Letra, e dërguar nga Lord Chamberlain, një prej zyrtarëve më të lartë të Pallatit, u është përcjellë ekipit të Harry-t, departamenteve qeveritare, zyrtarëve ushtarakë dhe përfaqësuesve lokalë të monarkut.
Në të theksohet se marrëveshja e vitit 2020, e njohur si Marrëveshja e Sandringham-it, mbetet në fuqi. Ajo përjashtoi mundësinë që Harry dhe Meghan të kishin një rol “gjysmë brenda, gjysmë jashtë” Familjes Mbretërore.
“Dihet mirë se në janar 2020, Duka dhe Dukesha hoqën dorë nga detyrat përfaqësuese në emër të Sovranit dhe nuk janë më anëtarë aktivë të Familjes Mbretërore”, thuhet në letër.
Pallati sqaron gjithashtu se aktivitetet bamirëse të çiftit janë çështje private.
“Veprimtaria bamirëse e Dukës dhe Dukeshës është një çështje personale për të dy dhe zhvillohet në kapacitetin e tyre privat.”
Kjo do të thotë se çdo vizitë apo aktivitet i Harry-t dhe Meghan-it në Britani nuk duhet të trajtohet si një angazhim zyrtar mbretëror dhe ata nuk do të përfaqësojnë Mbretin apo Familjen Mbretërore.
Letra thekson gjithashtu se ata nuk do të përdorin titujt “Lartësia e Tij Mbretërore” dhe “Lartësia e Saj Mbretërore”.
Pallati u kërkon organizatave që kanë paqartësi mbi mënyrën se si duhet të trajtohen vizitat e çiftit, veçanërisht kur mund të përfshihen fonde publike, t’i drejtohen Buckingham Palace.
Harry dhe Meghan u larguan nga detyrat mbretërore në vitin 2020 dhe më pas ndërtuan jetën e tyre të pavarur në SHBA. Tashmë, me rikthimin e tyre në Britani dhe me fëmijët Archie dhe Lilibet që pritet të ndjekin shkollën atje, çifti pritet të ketë më shumë dalje publike dhe të vazhdojë aktivitetet bamirëse.
Ndërkohë, mbetet e pazgjidhur çështja e sigurisë së tyre në Britani. Për këtë, letra sqaron:
“Çdo çështje operative e sigurisë duhet të vazhdojë t’u drejtohet autoriteteve përkatëse të policisë.”
Mesazhi i Mbretit është i qartë se Harry dhe Meghan mund të jenë sërish në Britani, por nuk po rikthehen si anëtarë aktivë të Familjes Mbretërore.





