Luftimet janë rikthyer me intensitet në Jemen, në përshkallëzimin më serioz që nga armëpushimi i vitit 2022.
Qeveria e njohur ndërkombëtarisht ka nisur kundërsulme ndaj rebelëve Houthi, ndërsa përleshjet janë përqendruar në provincat Taiz, al-Bajda dhe al-Xhaf.
Qeveria synon të rimarrë kryeqytetin Sana’a, i cili kontrollohet nga Houthit e mbështetur nga Irani. Ndërkohë, Houthit pretendojnë se kanë zmbrapsur disa avancime të forcave qeveritare dhe kanë sulmuar edhe objektiva në Arabinë Saudite, e cila mbështet qeverinë jemenase.
Konflikti është përshkallëzuar në një moment të tensionuar në Lindjen e Mesme. Kontrolli i zonave pranë Bab al-Mandebit, një ngushticë strategjike që lidh Detin e Kuq me Gjirin e Adenit, ka marrë rëndësi të re për shkak të ndikimit të tij mbi sigurinë e transportit detar dhe furnizimet energjetike.
Houthit kanë sulmuar anije në Detin e Kuq që nga viti 2023, ndërsa forcat proqeveritare janë sot më të pajisura dhe më të bashkuara se më parë. Megjithatë, ekspertët shprehen se nuk është e lehtë fitorja ndaj Houtheve.
Ekspertët vlerësojnë se lufta mund të zgjasë. Nëse Houthit tërhiqen nga zonat e pushtuara, ata mund të përqendrohen në bastionet e tyre veriore rreth Saadës, Haxhës dhe Sana’as, duke krijuar një ndarje më të qartë territoriale mes veriut të kontrolluar nga Houthit dhe zonave nën kontrollin e qeverisë.
Përshkallëzimi lidhet edhe me krizën më të gjerë rajonale dhe përplasjen mes Iranit, Izraelit dhe Shteteve të Bashkuara. Analistët thonë se kjo situatë i ka dhënë Jemenit një rëndësi të re strategjike, pasi Houthit nuk shihen më vetëm si pjesë e luftës civile, por edhe si faktor që ndikon në sigurinë e Detit të Kuq, tregtinë ndërkombëtare dhe infrastrukturën energjetike.
Megjithatë, edhe nëse tensionet me Iranin bien, konflikti në Jemen mund të vazhdojë, pasi vendi përballet me çështje të pazgjidhura territoriale dhe politike prej vitesh.





