KUKËS– Dhjetra familje në qarkun e Kukësit nuk do të kenë mundësi të festojnë ardhjen e Vitit të Ri, pasi niveli i ulët ekonomik nuk i lejon të bëhen pjesë e festimeve. 

E tillë është edhe familja Haziri që jeton në një nga lagjet e qytetit të Kukësit që për shkak të papunësisë nuk ka organizuar asnjë blerje për natën e ndërrimit të viteve. Kryefamiljari deklaron se 5 anëtarët e familjes jetojnë falë një pagese prej 3 200 lekësh të reja të ndihmës ekonomike dhe ndonëse ka trokitur në cdo derë institucioni nuk ka mundur të gjejë një vend pune. 

“Kam kërkuar punë, me kanë thënë jo po nuk kemi. I kam thënë se jam asnjë ndihmë. Unë kam pasur një dyqan dikur, por ma kanë prishur dhe tani kam ngel pa asgjë. Kur të vijë Viti i Ri do e presim me se të mundemi. Nuk kam bë asnjë plan. Nuk dua lekë, dua punë që ta fitoj vetë lekun”,- shprehet kryefamiljari Avdi Haziri. 

Njëri nga fëmiljët rrëfen se ushqehet me supë dhe turshi, madje mëngjesin nuk e konsumon asnjëherë. Ai është vetëm 9-vjec dhe ëndërron mbërritjen e babagjyshit të Vitit të Ri. “Dua që babagjyshi të më sjellë një dhuratë, por nuk e kam menduar ende”,- thotë 9-vjecari. 

Si familja e Avdi Hazirit janë më shumë se 11 mijë familje në qarkun verilindor, të cilat jetojnë prej dekadash falë një ndihme ekonomike që jepen nga njësitë vendore. Qarku i Kukësit renditet i pari në vend sa i takon nivelit të ulët ekonomik, për shkak të papunësisë.