Edhe të vegjlit janë ata që po e vuajnë periudhën e izolimit në shtëpi për shkak të koronavirusit.
Ndonëse nuk arrijnë të kuptojnë shumë mirë gjithçka po ndodh sot në vendin tonë dhe nëpër botë, me çiltërsinë karakterizuese të moshës, mesazhet që vogëlushët përcjellin janë mjaft domethënëse dhe prekëse.
I tillë është edhe mesazhi i Marvit, vogëlushit nga Durrësi, drejtuar të gjithë moshatarëve të tij që ashtu si atë i ka marrë malli për shokët dhe shoqet e shkollës.
“Do të kthehem në klasën time. Bota do të lulëzojë sërish”, shkruhet në vizatimin që 6-vjeçari mban në duar.
Marvi ka vizatuar globin i cili prej kohësh po lufton me një armik që nuk shihet por po shkakton mjaft viktima, i mbështjellë nga një luledielli, simbol i forcës, shpresës dhe jetës.
Vogëlushi 6-vjeçar, ashtu të gjithë të tjerët qëndron i mbyllur në shtëpi me shpresën që kjo “luftë” të mbarojë sa më shpejt dhe të mund t’i rikthehemi jetës normale.





