50 tuta për stafin mjekësor, që ndodhet në vijën e parë të luftës me koronavirusin. Kjo është iniciativa e një biznesi fason në Durrës, që javën e kaluar i ka dorëzuar Ministrisë së Shëndetësisë veshjet speciale si ato që shihni në fotot në fund të shkrimit.

Administratori i biznesit fason “Rita Narazani”, Geri Çuçi rrëfen për DurrësLajm se ideja i lindi që në ditët e para, kur nisën të aplikoheshin nga qeveria shqiptare masat drastike për parandalimin e koronavirusit.  

Çuçi tregon se copën e përdorur për prodhimin e tutave speciale e kishin prej rreth një viti në kompani dhe sapo mësuan që mjekët kishin nevojë për veshje të posaçme për t’u ruajtur nga infektimi menduan të nisnin menjëherë prodhimin dhe t’ia bënin dhuratë Ministrisë së Shëndetësisë. Pasi kontaktuan me përfaqësues të dikasterit dhe morën aprovimin e tyre, nisën menjëherë prodhimin.

“Kishim rreth 150 metra copë, me të cilat prodhuam 50 tuta. Është një copë me karakteristika specifike kundra ujit, nuk merr flakë dhe për më tepër janë veshje që nuk janë një përdorimshe. Mund të përdoren shumë herë, pasi janë mjaft rezistente dhe dezinfektohen me lehtësi. Javën e kaluar, të premten, ia dorëzuam një përfaqësuesi nga Ministria e Shëndetësisë. Na falenderuan shumë”,- tregon Geri Çuçi.

Njëkohësisht ai nënvizon se kanë porositur edhe një sasi tjetër cope në Itali, por masat drastike të ndërmarra nga qeveria Conte për ndalimin e aktiviteteve prodhuese jo të domosdoshme ka bërë që porosia të vonohet. Ajo pritet të mbërrijë në fillim të muajit prill.

Çuçi thotë se do të rinisë me prodhimin sapo të vijë materiali i porositur, ndërkohë që me stafin që ka aktualisht në punë vazhdon me prodhimin e maskave mbrojtëse prej pambuku. Maskat janë ndër produktet më të kërkuara këto ditë dhe të gjithë prodhimin ai e shet online.

“Vetëm pak javë më parë prodhonim këmisha Versace. Tani prodhojmë tuta dhe maska. Biznesi duhet të përshtatet në kohë lufte, do na duhet të mbijetojmë. Nga rreth 30 punonjës që kisha deri 3 javë më parë, tani vijnë në punë vetëm 10 prej tyre. Shpresojmë në normalizimin sa më shpejt të situatës, pasi vështirësitë do të jenë të shumta. Që tani ne kemi anulime kontratash, pasi ne bashkëpunojmë ngushtë me Italinë. Kriza nisi të ndihej që kur Kina u prek nga koronavirusi, pasi një pjesë e mallit furnizonte tregun kinez. Për sa kohë të gjitha janë të mbyllura, prodhimi mbetet pa shitur”,– thotë biznesmeni Geri Çuçi.

Tani për tani, kompania e tij punon me staf dhe orar të reduktuar, 07.00-12.00. Biznesi fason “Rita Narazani”, ashtu si gjithë biznesi durrsak dhe ai shqiptar, shpreson që kjo situatë e pazakontë e krijuar prej koronavirusit në të gjithë botën të përfundojë sa më shpejt. Por deri në normalizimin e situatës dhe rikthimin në përditshmëri duhet të përshtatet. Jetojmë në kushte lufte me një armik të padukshëm…