Një sportist 28-vjeçar, i prekur nga koronavirusi ka përshkruar sesi sëmundja “mizore” pothuajse i mori jetën.

Michael Prendergast, nga Kerry në Irlandë, tha se kishte pasur frymëmarrje të rënduar, temperaturë shumë të lartë dhe konvulsione, të cilat dobësuan trupin e tij, që përpiqej të luftonte kundër sëmundjes.

Pasi u vendos në karantinë në spital, ai thotë se filloi të mendonte vdekjen dhe është i sigurt se do të kishte vdekur nëse nuk do kishte pasur kujdesin mjekësor, raporton Daily Mail.

Duke folur për emisionin News Talk në Irlandë, ai tha: “Mendova se do të ishte i lehtë, para se të prekesha nga koronavirusi. Por kur u infektova, koronavirusi më bëri të shtroja disa pyetje esenciale. A do të jetoj? A kam jetuar një jetë të mirë? A e kam shpërdoruar kohën? Ishte një periudhë plot emocione”.

Prendergast sqaroi për Sky News se ai me siguri e mori sëmundjen gjatë punës në Londër, por nuk kishte simptoma ditët e para. Duke u përpjekur të shmangte bllokimin në kryeqytetin e Mbretërisë së Bashkuar, ai mori një fluturim për në Irlandë, ku mbërriti më 16 mars dhe shkoi të vizitojë nënën e tij.

Por të nesërmen, 28-vjeçari u zgjua me një gulçim të tmerrshëm dhe temperaturë shumë të lartë, dy simptoma këto të koronavirusit. Të nesërmen temperatura iu rrit edhe më shumë, ndërsa i filluan dridhjet, pasi trupi përpiqej të luftonte infeksionin.

Më 19 mars ai thirri një ambulancë dhe u dërgua në Spitalin e Përgjithshëm Kerry dhe u vendos në izolim, ku ka kaluar pesë ditët e fundit.

Prendergast deklaron se vuante pak nga astma, të cilën e ka nën kontroll, ndërsa nuk ishte sëmurur prej vitesh. Ai tha se është i sigurt se nuk do të ishte gjallë pa hyrjen në shtratin e spitalit.

Michael ka një paralajmërim të ashpër për të rinjtë, të cilët mendojnë se janë më pak të prekshëm nga virusi.

“Ky është vetëm një paralajmërim për këdo që gjendet atje. Unë shoh kohët e fundit njerëz në plazhe, në parqe, në palestra. Nëse nuk prekeni kaq keq sa unë, unë ju garantoj që prindërit tuaj ose hallat dhe xhaxhallarët tuaj ose gjyshërit tuaj do të preken dhe ky virus është vrasës”. – thotë ai.