Në këto ditë të vështira, për shkak të situatës së krijuar në vend nga përhapja e koronavirusit dhe masave drastike të ndërmarra nga qeveria, për banorët e qytetit të Durrësit të prekur nga tërmeti vjen një lajm i mirë.
Burime zyrtare nga bashkia konfirmojnë për DurrësLajm se ka nisur lëvrimi i këstit të tretë të bonusit të qirasë. Kësti është kaluar në llogaritë bankare të 1300 familjeve, ndërsa shpërndarja do të vazhdojë deri në fund të muajit mars edhe për familjet e tjera.
Të njëjtat burime konfirmojnë se deri tani 3783 familje nga të 3 listat e miratuara në Këshillin Bashkiak kanë përfituar 2 këstet e para, ndërkohë që është duke vijuar puna me shqyrtimin e dosjeve për thuajse gjysmën e familjeve të listës së tretë (1588 familje) dhe në ditët në vijim edhe ato do të përfitojnë subvencionimin e qirasë.
Në muajin dhjetor 2019, Këshilli Bashkiak Durrës miratoi 2 lista me 3863 familje, ndërsa në muajin shkurt 2020 u miratua edhe një listë e tretë, me 1588 familje.
Paralelisht me menaxhimin e situatës së krijuar nga koronavirusi dhe zbatimin e planit të masave të hartuara nga qeveria Rama, në bashkinë e Durrësit vazhdon puna me përpunimin e dosjeve të procesit të rindërtimit, nga aplikimi “Shtëpia ime”. Deri në fund të muajit mars, bashkia e Durrësit është ende në kushtet e gjendjes së jashtëzakonshme për shkak të situatës së krijuar nga tërmeti i 26 nëntorit 2019.
Ndërkohë, dëgjesat publike të cilat patën nisur në fillim të muajit mars janë ndërprerë, deri në një njoftim të dytë, pas kapërcimit të situatës kritike të krijuar nga virusi Covid-19. Bashkia zhvilloi 3 dëgjesa publike me banorët e njësive administrative të qytetit dhe një dëgjesë tjetër në Sukth.
Qeveria Rama ka miratuar 4 zona për zhvillim në Durrës të cilat janë: zona 1 në lagjen 14 në Shkozet në njësinë administrative 5, zona 2 në lagjen 18 në njësinë administrative 4, zona 3 në lagjen 14 në Shkozet në njësinë administrative 5 dhe zona 4 në zonën e Spitallës në njësinë administrative 6.
Qyteti i Durrësit dhe rrethinat e tij ishin ndër zonat më të goditura nga fatkeqësia natyrore, që shkaktoi 23 viktima në qytetin bregdetar, qindra të plagosur, mijëra të pastrehë dhe qindra biznese të dëmtuara rëndë.
Në 26 mars mbushen plot 4 muaj nga fatkeqësia natyrore dhe janë me mijëra familje në shtëpi me qira apo çadra që presin dritën jeshile për procesin e rindërtimit. Në fund të javës së kaluar, ministri i rindërtimit, Arben Ahmetaj njoftonte se ishte në komunikim të vazhdueshëm online me kryetarët e bashkive të dëmtuara nga lëkundja sizmike, mes të cilëve edhe kryebashkiakun në detyrë, Zhylien Varfaj.
“Ndërkohë, #Rindërtimi vazhdon. Me kryetarët e bashkive në zonën e prekur nga tërmeti, në komunikim të vazhdueshëm për ecurinë e procesit të Rindërtimit. Janë vlerësuar deri më tani mbi 11,200 dosje aplikimesh në platformën “Shtëpia Ime”, nga Komisionet e Posacme në cdo bashki”,– shkruante ministri Ahmetaj, në datë 20 mars.
Qeveria shqiptare mblodhi 1.15 miliardë euro nga Konferenca e Donatorëve, para këto që pritet të shkojnë për procesin e rindërtimit.
M.B.





