Kryeministrat e vendeve të Ballkanit Perëndimor kanë zhvilluar një takim online me Kancelarin e Austrisë, Sebastian Kurz, dhe me Komisionerin për Zgjerim të Bashkimit Europian, në kuadër të masave mbrojtëse të koronavirusit.
Përmes një postimi ne Facebook, kryeministri Edi Rama zulon se liderët diskutuan për situatën e krijuar nga COVID-19 që ka paralizuar gjithë Europën dhe për ndikimin që do të ketë në ekonomi.
“Mbledhja e Kryeministrave të Ballkanit Perëndimor me Kancelarin e Austrisë, Sebastian Kurz, me pjesëmarrjen e Komisionerit për Zgjerimin, Oliver Varhelyi, po zhvillohet online në datën e paracaktuar. Garantimi i aksesit të vendeve të rajonit tonë në tregun europian për importet mjekësore gjatë luftës me virusin. Plani ekonomik i reagimit ndaj pasojave të luftës mbi biznesin e mbi punonjësit e sektorit privat, të detyruar të rrinë në shtëpi dhe kontributi i BE për vendet e rajonit tonë në këtë reagim. Mbledhja e Këshillit Europian javën e ardhshme, ku do të diskutohet edhe vendimmarrja për çeljen e negociatave për anëtarësim me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Shqipëria ka vepruar shpejtë e saktë në marrjen e masave shtrënguese dhe ndërkohë që lufta vazhdon, plani ekonomik i reagimit ndaj pasojave po merr formë”, shkruan Rama.





