Nënkryetari i Partisë Demokratike, Belind Këlliçi, ka ngritur akuza për një afërsi mes kryeministrit Edi Rama dhe kryetarit të Gjykatës së Lartë, Sokol Sadushi. Përmes një reagimi në rrjetin e tij social Facebook, Këlliçi thekson se Sadushi e ka ftuar Ramën për katër vite radhazi në një aktivitet privat në fshatin Vajzë, duke e cilësuar këtë afërsi si shqetësuese për pavarësinë dhe paanësinë e gjyqësorit.

Në reagimin e tij, ai kritikon gjithashtu qëndrimet e Sadushit lidhur me masat e sigurisë ndaj zyrtarëve të lartë të akuzuar për korrupsion. Këlliçi thotë se Kryetari i Gjykatës së Lartë ka ndërmarrë hapa konkretë për të ndryshuar praktikën gjyqësore dhe për të lehtësuar masat e sigurisë ndaj zyrtarëve të lartë të akuzuar për korrupsion, në mënyrë që burgu të jetë masa e fundit që merret ndaj tyre. Më tej, deputeti demokrat shton se një afërsi e tillë mund të cenojë besimin te pavarësia e drejtësisë.

Reagimi i plotë:

Mega Skandal!!! Kryetari i Gjykatës së Lartë organizon festa private me Edi Ramën!

Në një festë të Labërisë, në fshatin Vajzë, ishte vetë Kryeministri që zbuloi një fakt të pabesueshëm. Ai ndodhej aty sepse e kishte ftuar Kryetari i Gjykatës së Lartë, Sokol Sadushi. Pra, kryegjyqtari i Shqipërisë, që shpesh herë e kemi parë në foto me shall të kuq pionieri, qenka organizator i këtij ahengu dhe kishte insistuar personalisht që Kryeministri të ishte i pranishëm. Sipas Ramës, Sadushi e kishte bezdisur për katër vite me radhë me ftesa dhe, më në fund, ai kishte vendosur të shkonte. Kjo dëshmon një afërsi të pazakontë mes Kryetarit të Gjykatës së Lartë dhe kreut të qeverisë. Është në kufijtë e skandalit, edhe pse mes aferave të rënda të Edi Ramës kjo mund të duket paksa romantike.

Por a është kjo diçka që do të ndodhte në vende të tjera normale të Europës, ku duam të integrohemi?! Imagjinoni të jeni palë në një proces gjyqësor përballë Edi Ramës apo qeverisë së tij në Gjykatën e Lartë, të drejtuar nga miku i tij, Sadushi. A do të kishim barazi para ligjit?!

Asnjëherë më parë një instancë kaq e lartë e gjyqësorit në vend nuk është shfaqur dhe asociuar kaq hapur me një mazhorancë dhe kreun e saj. Gjykata e Lartë, që duhet të jetë garante e paanësisë dhe simbol i pavarësisë së drejtësisë, ekspozohet kështu si e njëanshme dhe e varur kryekëput nga Kryeministri.

Çfarë mesazhi u përcjell kryegjyqtari i vendit gjyqtarëve dhe magjistratëve të tjerë me këtë sjellje, kur bëhet publike se ai, si organizator i festës, e ka ftuar për vite me radhë Kryeministrin të jetë në krye të tavolinës?! Lidhjet dhe afeksioni i Sadushit me qeverinë janë të njohura.

Së fundmi, ai ka ndërmarrë hapa konkretë për të ndryshuar praktikën gjyqësore dhe për të lehtësuar masat e sigurisë ndaj zyrtarëve të lartë të akuzuar për korrupsion, në mënyrë që burgu të jetë masa e fundit që merret ndaj tyre. Sadushi është tashmë zyrtarisht avokati më i madh i zyrtarëve e politikanëve, që kanë 13 vite që fusin çdo ditë e më shumë duart në xhepat e shqiptarëve.